Rritja ekonomike, Gjylameti: Në gjendje të kryejmë investime të rëndësishme

TIRANË, 31 janar /ATSH – I. Vata/ – Ekonomia shqiptare është e qëndrueshme, duke performuar shumë më mirë se një vit më parë dhe për vitin 2018, arriti shifrën 4,2 %,  deklaroi sot, deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti nga foltorja e Kuvendit ku u diskutua aktin normativ për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2018.

Në fjalën e saj, Gjylameti tha se falë reformave dhe vullnetit të qeverisë edhe viti 2018 është një tjetër vit i suksesshëm për ekonominë.

“Duhet theksuar se edhe krahasuar me një vit më parë të ardhurat e përgjithshme të buxhetit u rritën me 4,4% nga këto të ardhura tatimore me gjithë efektet negative të kursit të këmbimit u rritën me 5,2%. Ndërkaq, shpenzimet e përgjithshme të buxhetit u rritën me 3,1%. Mjafton të themi se deficiti buxhetor vlerësohet të jetë 1,6% e PBB, kurse borxhi publik të ketë një reduktim të mëtejshëm me 4,7% kundrejt nivelit 6,8% që ishte në 2017, për të kuptuar se ekonomia shqiptare është duke performuar shumë më mirë se një vit më parë”, tha Gjylameti.

Në vijim, deputetja e PS-së Gjylameti shtoi se borxhi publik bruto vazhdon të jetë 67,2%, pavarësisht se si duan t’i lexojnë shifrat kolegët e opozitës. Një arritje e rëndësishme e vitit 2018 është dhe emetimi me sukses i Eurobondit, i cili jo vetëm siguroi financimin e nevojshëm të ekonomisë së vendit, por gjithashtu është një tregues i ecurisë së saj.

“Këta tregues ekonomikë tregojnë se ekonomia shqiptare është një ekonomi e qëndrueshme, e aftë për të vijuar në ecurinë e saj në rritje dhe për të kryer investime të rëndësishme. Gjatë viti 2018 ekonomia vijoi me trendin përshpejtues duke arritur në 4,2%. Të njëjtin nivel të rritjes ekonomike ka parashikuar dhe FMN, gjatë rishikimit të projeksionit të saj për vitin 2018”, tha ajo. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.