NJU JORK – OKB: 5 000 venezuelas largohen çdo ditë nga vendi

NJU JORK, 31 janar /ATSH-AA/ – Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) raporton se rreth 5 000 persona largohen çdo ditë nga Venezuela.

Joung-ah Ghedini-Williams, një zëdhënës i UNHCR-së në një konferencë për media në selinë e OKB-së, pohoi se venezuelasit po largohen nga vendi për shkak të “paqëndrueshmërisë dhe pasigurisë” rreth krizës presidenciale.

“Brazili, Kolumbia, Ekuadori dhe Peruja janë shtetet që pranojnë numrin më të madh të venezuelasve”, tha Ghedini-Williams.

Të dhënat e UNHCR-së tregojnë se tre milionë venezuelianë janë larguar nga vendi që prej 2015.

Javën e kaluar, Juan Guaido, kryetari i Asamblesë Kombëtare të udhëhequr nga opozita, u vetëshpall president, një veprim që u mbështet menjëherë nga presidenti amerikan, Donald Trump, si dhe nga Kanadaja dhe shumica e vendeve të Amerikës Latine.

Nga ana tjetër, presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro  njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Uashingtonin dhe akuzoi SHBA-në për orkestrim të një grusht shteti kundër qeverisë së tij.

Venezuela është përfshirë nga protestat që nga 10 janari, kur Maduro u betua për mandatin e tij të dytë pas një votimi të bojkotuar nga opozita./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.