Ndotjet në lumin Devoll, Komiteti Shqiptar i Helsinkit padi ndaj pushtetit vendor

TIRANË, 31 janar /ATSH – I. Vata/ – Komiteti i Helsinkit ka depozituar një padi gjyqësore ndaj autoritetet vendore për ndotjen në lumin Devoll.

Nisur nga shqetësimet e bëra publike në medie, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka realizuar përgjatë vitit 2018 disa monitorime për verifikimin e gjendjes së lumit Devoll në zonën e fshati Rreth Tapi, bashkia Kuçovë.

Në vijim Komiteti Shqiptar i Helsinkit sqaron se “nga monitorimi në terren rezultoi se vendgrumbullimi i mbetjeve në fshatin Rreth Tapi është problematik, pasi atje depozitohen mbetje të llojeve të ndryshme (madje groposen edhe kafshë të ngordhura), çlirohen gazra të dëmshëm gjatë djegies, ka erë të keqe nga kalbja e mbeturinave si dhe ky vend depozitim ndodhet mjaft afër një zone të banuar me 2700 banorë, vetëm 15-20 metra pranë lumit Devoll”.

Sipas Komiteti Shqiptar i Helsinkit banorët e kësaj zone rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre si pasojë e ndotjes që vjen nga ky vendgrumbullim.

Në përmbushje të misionit të tij, KSHH ka paditur bashkinë e Kuçovës në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për rehabilitimin e lumit, por edhe marrjen e të gjitha masave të nevojshme për eliminimin e faktorëve që kanë shkaktuar dëmin në mjedis, me qëllim kufizimin apo parandalimin e dëmeve të mëtejshme në mjedis, efekteve negative në jetën dhe shëndetin e banorëve të zonës pranë lumit Devoll. /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.