FOTO/ Elbasan, brezi i ri “prek” asetet e trashëgimisë kulturore

TIRANË, 31 janar /ATSH/ – Sektori i Elbasanit i DRKK Durrës zhvilloi një takim me klubin e lëndës së trashëgimisë kulturore me dy klasa të 10-ta në shkollën e mesme Qendër Komunitare “Kostandin Kristoforidhi” të qytetit të Elbasanit.

Gjatë prezantimit nga ana e specialistëve nxënësit u njohën në mënyrë të përgjithshme mbi konceptin e trashëgimisë kulturore, pse lindi nevoja e krijimit të UNESCO-s, organizatë në të cilën bën pjesë vendi ynë si dhe ndarjen e trashëgimisë kuturore në atë materiale dhe jo materiale. Nxënësit u njohën dhe me disa prej monumenteve kryesore të shtrira në të gjithë qarkun e Elbasanit dhe klasifikimin e tyre në dy kategori të I dhe të II.

Më pas i gjithë takimi me nxënësit u zhvillua në formë bashkëbisedimi ku nga ana e nxënësve u hodhën pyetje të ndryshme mbi monumentet që ekzistojnë, mënyrën e restaurimit dhe ruajtjen e tyre si dhe ndërgjegjësimin e brezave për t’i ruajtur këto vlera të shumta që kemi si një dëshmi e fortë për kulturën e popullit tonë. /a.a/j.p/ 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.