3.4 miliardë lekë më shumë shpenzime për qeverisjen vendore

TIRANË, 31 janar/ATSH/- Objektivi i parë i Aktit Normativ të buxhetit 2018 është sigurimi i një hapësire financiare shtesë për njësitë e vetëqeverisjes vendore, përmes rritjes së tavanit të shpenzimeve tyre me 3.4 miliardë lekë.

Kështu deklaroi sot në Kuvend, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, në fjalën e saj në Kuvend për prezantimin e objektivave të Aktit Normativ të Buxhetit 2018.
Sipas saj, kjo është bërë në perputhje me ecurinë pozitive të mbledhjes së të ardhurave vendore, të cilat në fakt për të gjithë vitin 2018 rezultuan me një tejkalim prej rreth 3 miliardë lekë kundrejt Buxhetit Fillestar 2018.

“Performanca më e mirë ka qenë veçanërisht nga zëri i të ardhurave nga taksat lokale. Tek pushteti vendor, zhvillim tjetër gjatë vitit 2018 dhe i reflektuar në ndryshimet e këtij Akti Normativ ka të bëjë me faktin se njësitë e vetëqeverisjes vendore gjatë 2018-ës kanë shlyer detyrime të prapambetura për një shumë prej rreth 2.1 miliardë lekë”, nënvizoi ministrja.

Gjithashtu, vijoi ajo, disa nga njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë zbatuar projekte me financim të huaj, ku plani i tyre nuk ka qenë i parashikuar në buxhetin fillestar të vitit 2018.

Ministrja bëri të ditur se “njësitë e vetëqeverisje vendore kanë trashëguar fonde nga vitet e mëparshme duke krijuar nga viti në vit një stok që ka rritur presionin për të kryer shpenzime. Në këto kushte, ishte e domosdoshme edhe krijimi i hapësirës fiskale për mbulimin me plan buxhetor të shpenzimeve me financim të huaj për pushtetin vendor në vlerën prej 1.3 miliardë lekë”. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.