Rakacolli: Paligjshmëri nga Urdhri i Stomatologut për tarifat e reja

TIRANË, 30 janar/ATSH/- Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka ngritur padi në Gjykatën Administrative për Urdhrin e Stomatologut, në lidhje me tarifat e reja.

Kështu deklaroi sot zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli në seancën dëgjimore në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.

“Qëndrimi publik i MSHMS-së ka qenë dhe është tejet i distancuar nga ai vendim se po të shikosh Urdhrin e Stomatologut për tarifat e reja është një urdhër që mbështetet mbi ligjin 127, i cili nuk i jep kompetencë fare urdhrit për të përcaktuar tarifa”, theksoi Rakacolli.

Sipas saj, baza ligjore të cilit i është referuar Urdhri i Stomatologut nuk ia jep fare atë të drejtë.

“Nuk ka asnjë lloj komenti për t’u bërë për paligjshmërinë e këtij vendimi”, shtoi ajo.

Zv/ministrja Rakacolli u shpreh se “edhe baza ligjore që ka cituar aty ligji dhe baza ligjore e caktuar me firmë e me vulë nga presidenti dhe stomalogët, nuk ia jep absolutisht të drejtën që misioni i Urdhrit të Stomatologut është ai që u citua disa herë këtu. Urdhri i Stomatologut ka të bëjë në radhë të parë, me ngritjen e standardeve profesionale të stomatologëve, me rregullimin e marrëdhënieve të pacientit, me mbrojtjen e pacientëve karshi kequshtrimit të profesionit të stomatologëve”, theksoi Rakacolli.

“Më datë 6 është marrë një vendim i paligjshëm i kryesisë që Këshilli Kombëtar ta çojë në asamble. Ministria këtu nuk ndikoi që të thoshte nuk do ta çoni në asamble. Përsa i përket afatit ligjor të ankimimit fillon nga momenti që merr njoftimin zyrtar”, sqaroi ajo.

Zv/ministrja Rakacolli u shpreh se “neni 7 që cituat edhe ju i ligjit të Stomatologut i jep urdhrit detyrim që për vendime që kanë të bëjnë me shërbime dhe konkretisht me shërbimin e pacientit duhet të njohë ministrinë”.

“Ministria nuk është palë e vendimit të Urdhrit të Stomatologëve”, tha ajo. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.