Qytetari nga Tirana zgjidh problemin e afishimit të pronës

TIRANË, 30 janar /ATSH – I. Vata/ –  Një qytetar nga Tirana pas ankesës në platformën “shqiperiaqeduam.al”, zgjidhi më në fund problemin në lidhje me afishimin e pronës së tij në njësinë administrative Kashar.

Koordinatorja Flavia Dulellari, referoi rastin në takimin e përjavshëm në Kryeministri. Problemi qëndronte në faktin se kryetari i fshatit ku ndodhej prona e qytetarit refuzonte të firmoste procesverbalin e afishimit.

Qytetari Dashnor Bala haste probleme sa i përket afishimit 45-ditor nga njësia administrative Kashar për pronën e tij. Menjëherë pas adresimit të ankesës në platformë, rasti u trajtua në njësinë administrative Kashar. Duke qenë se kjo ankesë erdhi nga zyra e bashkëqeverisjes, iu drejtua me shkresë kryetarit të fshatit për të ditur arsyen pse ai refuzonte të nënshkruante këtë procesverbal. Duke qenë se personi nuk kishte arsye objektive për firmosjen e këtij procesverbali, u bind dhe më në fund u bë i mundur që afishimi të publikohej për 45 ditë. Përveç kësaj praktika e zotit Bala iu dërgua ZVRPP Tiranë, për të vazhduar më pas procesin normal.

Edhe vetë qytetari Dashnor Bala tregoi problemin që kishte hasur me kryeplakun e fshatit, i cili nuk firmoste procesverbalin.

“Për këtë rast, iu drejtova platformës dhe më ndihmuan të merrja firmën e kryeplakut dhe tashmë dokumentet janë dërguar në Hipotekë. Falemnderit platformës dhe Kryeministrit!” – tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.