300 zyrtarë të larguar për mos zgjidhjen në kohë të së drejtës së qytetarëve

TIRANË, 30 janar /ATSH – I. Vata/ – Nga ankesat e qytetarëve në platformën e bashkëqeverisjes, “shqiperiaqeduam.al”, janë pushuar nga puna 300 punonjës të administratës shtetërore.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “si rezultat i ankesave të qytetarëve janë larguar nga puna 300 punonjës për mosdhënie në kohë të së drejtës qytetare”.

Në takimin e përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes, Rama vendosi theksin te efikasiteti i platformës së bashkëqeverisje dhe serioziteti i saj ku janë të shumta ankesat e qytetarëve të cilave u janë dhënë zgjidhje.

“Janë masa të marra nga hetimet administrative pasi qytetarët kanë fituar të drejtën e tyre dhe faktikisht pothuajse gjysma e këtyre masave janë largime nga puna”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “janë 300 të larguar nga puna si rezultat i hetimit për mosdhënien në kohë të së drejtës qytetare, gjë që tregon se ajo që themi se fuqizimi i të drejtës për mes platformës se është diçka reale dhe konkrete e materializuar në jetën e administratës”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.