Spiropali: Puna e bashkisë Tiranë flet vetë, kandidaturat i zyrtarizojnë forumet e PS-së

TIRANË, 29 janar /ATSH – I. Vata/ – “Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj Erjon Veliaj kanë bërë një punë të lavdërueshme dhe të vlerësuar nga të gjithë, por kandidaturat do t’i zyrtarizojnë forumet e PS-së, si kryesia dhe kongresi i Partisë Socialiste, ku do të bëhen dhe publike”, deklaroi ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e ftuar në “ABC News”.

Duke folur në lidhje me koordinimin e pushtetit qendror dhe atij vendor, Spiropali tha se socialistët kanë një harmoni mes këtyre pushteteve, duke theksuar se kjo forcë politike u ka ofruar bashkëpunim edhe bashkive të Shkodrës, Kukësit dhe Tropojës.

E pyetur për kandidimin e kryetarit aktual të bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, Spiropali tha se “puna që ka bërë Erjoni në Tiranë fletë vetë dhe është e vlerësuar nga të gjithë”.

“Në momentin që ne do të bëjmë atë analizë dhe do shpallen kandidaturat, do bëhen publike. Nuk më takon mua të them se cili do jetë kandidati, por mund të them se puna e bashkisë së Tiranës dhe e kryetarit ka qenë e lavdërueshme”, – theksoi ajo.

Në vijim, Spiropali tha se për kandidaturat fjalën e fundit do ta thonë forumet e PS-së. Do kemi vendim zyrtar të kryesisë dhe të kongresit të Partisë Socialiste për kandidaturat.

E pyetur në lidhje me ato bashki që nuk do të ketë më rikandidime, Spiropali u shpreh se “kjo do të diskutohet në nivelin e Kryesisë së PS, por ne jemi duke punuar dhe kemi bërë disa dëgjesa lokale, kemi bërë llogaridhënie, njohim çdo problematikë të çdo zone dhe e kemi vizionin se çfarë duhet bërë në katër vitet e ardhshme për ta vazhduar procesin e zhvillimit urban dhe rural”, – theksoi Spiropali. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.