Malësi e Madhe/ Basha: PD do të ofrojë subvencione të drejtpërdrejta për fermerët

TIRANË, 29 janar /ATSH – I. Vata/ – “PD do të ofrojë 100 milionë euro subvencione për fermerët shqiptarë dhe 50 milionë euro për infrastrukturën bujqësore”, deklaroi sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në takim me fermerë të Malësisë e Madhe.

Kryetari i PD, Lulzim Basha vizitoi fermerët e bimëve mjekësore në Malësinë e Madhe, të cilët u shprehën se po humbasin interesin për të punuar, për shkak të çmimeve të ulëta nga vit në vit të prodhimeve të tyre.

Basha ftoi në protestë fermerët në datën 16 shkurt, për të vënë në jetë planin e PD-së për bujqësinë.

“Përveç 100 milionë eurove që do t’i keni subvencione direkte për produktet tuaja çdo vit, do të keni edhe minimalisht 50 milionë euro për infrastrukturën bujqësore, për rrugët e aksesit, për vaditjen, për pikat e grumbullimit, aksesin në treg. Masa e tretë që do të keni është që doganat shqiptare nuk do të kthehen në porta të kontrabandës, pa siguruar shitjen e djersës së fermerit shqiptar. Pa siguruar tregun për ta, nuk do të hapen portat që të bëjnë përshesh tregtarët e shumicës që janë shumica monopolistë të lidhur drejtpërdrejtë me qeveritarët e korruptuar”, tha ai. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.