SOFT NEWS – Një i burgosur arratiset para selisë së… gjykatës!

PARIS, 28 janar /ATSH-DPA/ – Një i burgosur bëri sot një arratisje fantastike, pasi u lirua nga tre persona të armatosur, sapo mbërriti në selinë e një gjykate në jug të Francës, thanë burime që përputhen.

“Tre bashkëpunëtorët kërcënuan rojat që shoqëronin të burgosurin dhe hapën zjarr në drejtim të gomave të automjetit të burgut para se të largoheshin me të arratisurin”, njoftoi Ministria franceze e Drejtësisë.

Një prej rojave ishte sulmuar, megjithatë asnjë prej tyre nuk ishte goditur me armë zjarri.

“I arratisuri po dërgohej në gjykatën e Taraskonit për një dëgjesë para një prokurori”, tha ministria.

Sipas radios rajonale “France Bleu”, i dyshuari akuzohej për grabitje./ /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.