Paketa studentore, ministrja Denaj: Përveç investimeve për Kampuse edhe 2 miliardë lekë në dispozicion

TIRANË, 28 janar/ATSH-Maela Marini/ Janë rreth 2 miliardë lekë që shkojnë për Paketën Studentore vetëm nga vendimet e Këshillit të Ministrave në fund të muajit dhjetor 2018, ndërsa Akti Normativ parashikon një rialokim prej 450 milionë lekësh për ndërtimin e dy kampuseve universitare.

Kështu deklaroi sot, ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj, gjatë diskutimit në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave lidhur me Aktin Normativ.

Sa i takon paketës studentore, deputeti i LSI-së Edmond Haxhinasto, iu drejtua ministres duke vënë në dukje faktin se në këtë akt normativ, për studentët kemi vetëm investimin për rialokim parash në financimin e dy kampuseve me vlerën 450 milionë lekë.

Por sipas ministres, ky nuk është i vetmi alokim fondesh që bëhet. “Ne vijmë nga vendime të Këshillit të Ministrave në fund të dhjetorit, të cilat kanë fleksibilizuar mjaftueshëm dhe kanë një ndikim gati 2 miliard lekë në buxhetin e shtetit, në raport me disa elementë siç janë tarifat e studentëve, bursat etj. Dhe ky është një impakt që duhet përmendur edhe pse nuk është pjesë e Aktit Normativ”, tha Denaj.

Investimet, tha Denaj, “nuk janë asnjëherë mjaftueshëm, rëndësi ka se si këto të jenë në koordinancë me të gjithë sektorët”.

Sipas saj, “treguesit makroekonomik të vitit 2018 dhe objektivat për vitin 2019 e në vijim, të gjitha kërkojnë të shikojnë prioritete që shkojnë në rritjen e të ardhurave”.

“Rritja e të ardhurave e këtij viti është e konsiderueshme dhe më e lartë se vitet e kaluara. Ne jemi të fokusuar edhe në nxitjen e punësimit nëpërmjet edhe nxitjes së nismave për të sjellë investime të huaja direkte si dhe për të harmonizuar më tej dhe punuar për të përmirësuar më tej klimën e biznesit”, tha ministrja. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.