FOTO/ Rrugëtimi i Ismail Qemalit përmes objekteve vetjake për publikun në Muzeun Historik

TIRANË, 28 janar /ATSH /- Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar çelën sot për publikun ekspozitën dokumentare dhe fotografike “100 vjet nga vdekja e Ismail Qemal Vlorës” dhe ekspozitën me objekte vetjake të tij “Rrugëtim i Ismail Qemalit ndër vite”, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, në përkujtim të 100-vjetorit të ndarjes nga jeta.

Ekspozita prezantoi për publikun objekte vetjake të Ismail Qemalit, si flamurin e tavolinës dhe gotën e ujit. Gjithashtu, ekspozita përmban objekte nga fondi i Muzeut Historik Kombëtar, pena me të cilën u firmos Akti i Pavarësisë së Shqipërisë, aparati telegrafik i përdoruar nga Qeveria e Vlorës, një flamur të vitit 1913, gazeta të vitit 1912,etj.

Ekspozita e kuruar me kujdes nga specialistë të Promovimit dhe Komunikimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave u prezantua nga Drejtori i Inspektimit dhe Trajnimeve të DPA-së Endrit Musaj, ku cilësoi se do të vazhdojmë edhe më tej bashkëpunimin e midis dy institucioneve sikurse ishte dhe gjatë Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, dhe ekspozita me objekte vetjake të Ismail Qemalit u prezantua nga Drejtori i Muzeut Historik kombëtar Dorian Koçi.

Të pranishëm në këto ekspozita ishin studiues dhe historian të ndryshëm si dhe nxënësit e shkollës “Ismail Qemali”.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për të gjithë vizitorët deri në datën 28 shkurt 2019. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.