Akuzat ndaj prokurorit Sheshi, Prokurori i Përgjithshëm: Kërkon hetim të thelluar

TIRANË, 28 janar /ATSH – I. Vata/ – Prokurori i Përgjithshëm ka reaguar sot në lidhje me çështjen e  prokurorit Bujar Sheshi, i akuzuar nga PD si spiun i Sigurimit të Shtetit.

Në deklaratën për mediet, organi qendror i akuzës thekson se “vonesa në kthimin e përgjigjes nga AISSH dhe plotësimi i deklaratës individuale të nënshkruar prej prokurorit Bujar Sheshi nuk përputhen dhe kërkon hetim të thelluar”.

Prokurori i Përgjithshëm, shprehet se duke marrë shkas nga rasti publik për anëtarin e KLP-së, prokurorin Bujar Sheshi, me marrjen dijeni prej KPK-së, për mos kalimin me sukses të procesit të Rivlerësimit të disa prokurorëve, kandidatë për KLP nga radhët e prokurorive të apeleve, me qëllim plotësimin e vendit vakant në KLP, Prokurori i Përgjithshëm shpalli thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit. Pas thirrjes së parë, shpall thirrja e dytë, ku ka shprehur interesin prokurori Bujar Sheshi, duke dorëzuar deklaratën për shprehjen e interesit dhe dokumentet bashkëlidhur”.

Po ashtu Prokuroria sqaron se “pjesë e dokumenteve të dorëzuara prej kandidatit Bujar Sheshi, ishte deklarata e tij individuale, e nënshkruar, sipas të cilës, nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor apo i favorizuar i ish-Sigurimit të Shtetit deri më datë 02 korrik 1991 si dhe Formulari përkatës i Autoritetit të Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH).

“Prokurori i Përgjithshëm i është drejtuar AIDSSH, me datë 26.10.2018, për të verifikuar kandidaturën e prokurorit Bujar Sheshi. Një verifikim i tillë, është kryer edhe për të gjithë kandidatët e tjerë dhe personave të ngritur në detyrë, shumë kohë pasi atyre u është verifikuar dhe konstatuar plotësimi i kushteve ligjore për të qenë kandidat për anëtar të KLP-së prej Komisionit të ngritur për këtë qëllim nga Prokurori i Përgjithshëm paraardhës. Ky komision, mbi bazën e rezultateve të nxjerra për çdo kandidat, brenda afateve ligjore, harton listën me emrat e kandidatëve që plotësojnë kriteret”, sqaron më tej PP.

Në rastin e kandidatit për KLP, prokurorit Bujar Sheshi, Prokurori i Përgjithshëm, i ka kërkuar Komisionit verifikimin e të gjitha kushteve ligjore, njëkohësisht i ka dërguar për verifikim AISSH, formularin përkatës të plotësuar dhe nënshkruar prej kandidatit. Pasi është njohur me Relacionin e Burimeve Njerëzore datë 01.11.2018, sipas të cilit prokurori Bujar Sheshi plotëson kushtet dhe kriteret ligjore për të qenë kandidat i KLP, në kushtet kur verifikimi në AISSH nuk ishte një prej kritereve të parashikuar në ligj, brenda afateve ligjore të detyrueshme, Prokurori i Përgjithshëm ka vijuar me procedurën për organizimin e Mbledhjes së Përgjithshme si hapi përfundimtar për ngritjen e KLP-së”.

“Përgjigja e ardhur nga AISSH me datë 23. 01. 2019, i është njoftuar KLP-së me shkresën datë 25. 01. 2019 dhe Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimit të Ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Vonesa në kthimin e përgjigjes nga AISSH dhe plotësimi i deklaratës individuale të nënshkruar prej prokurorit Bujar Sheshi, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, që nuk përputhet në përmbajtje me Vendimin e AISSH, janë objekt i një hetimi të thelluar nga prokuroria kompetente”, thekson Prokurori i Përgjithshëm. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.