2019, viti i Ismail Qemalit dhe Edith Durham në Muzeun Historik Kombëtar


TIRANË, 27 janar /ATSH-A.ALLA / – Muzeu Historik Kombëtar është kthyer tashmë një vend sa informues, po aq dhe atraktiv, pasi ofron informacion mjaft të gjerë mbi periudhat historike dhe ngjarjet, por mbi të gjitha është vendi që mbledh të gjitha grupmoshat, për shkak të aktiviteteve të larmishme që organizon.

Ky muze çdo vit në data të shënuara organizon konferenca, ekspozita si dhe aktivitete të ndryshme mbi figura të rëndësishme për vendin, për të njohur publikun me rëndësinë dhe gjurmët e tyre në historinë tonë.

Viti 2019 në Muzeun Historik Kombëtar do të sjellë mjaft ngjarje dhe aktivitete të rëndësishme dhe informuese për çdo grupmoshë.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi në një deklarim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tregon risitë dhe detaje mbi rikoceptimin e këtij muzeu.

”Vitin 2019 ne e kemi shpallur si institucion një vit i kushtuar figurës së Ismail Qemalit, për shkak të 100-vjetorit të vdekjes dhe 175-vjetorin e lindjes. Më datë 28 janar ne do kemi një ekspozitë dhe një minikonferencë e cila do i kushtohet figurës së Ismail Qemalit”, tha Koçi.

”Gjithashtu 2019 përkon dhe me 75-vjetorin e Edith Durham një nga figurat më të rëndësishme të promovimit të Shqipërisë dhe imazhit të saj nëpër botë. Ne do zhvillojmë një ekspozitë dhe një konferencë mbi rëndësinë e kësaj figure. Një tjetër ngjarje e rëndësishme është dhe 80-vjetori i agresionit fashist ndaj Shqipërisë, e cila lidhet ngushtë dhe me 75-vjetorin e çlirimit të atdheut”, u shpreh ai.

”Për këto dy ngjarje ne po bashkëpunojmë me fondacionin ”Antonio Gramshi” në Puglia, Itali, për të bërë të mundur hapjen e një ekspozite dhe një konferencë me studiues italianë dhe shqiptarë përsa i përket kontributit të batalionit partizan ”Antonio Gramshi” në Shqipëri”, u shpreh drejtori Koçi.

Mbi rikonceptimin ai tha se, ”është akoma duke përfunduar projektideja e rikonceptimit të Muzeut Historik Kombëtar (…) dhe grupi i punës po vazhdon të punojë. Gjithashtu kemi dhe një vendim nga qeveria që, përveç pavijoneve ekzistuese, të kemi dhe pavijonin e Diasporës”, përfundoi Dorian Koçi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.