PD: Bujar Sheshi i emëruar në KLP në kundërshtim me ligjin

TIRANË, 26 janar /ATSH – I. Vata/ – “Prokurori i Apelit të Krimeve të Rënda, Bujar Sheshi është emëruar në KLP në kundërshtim me ligjin, pasi është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit me pseudonimin ‘Venusi’”, deklaroi sot nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Genti Strazimiri.

Në një deklaratë për mediat, Strazimiri tha se në Këshillin e Lartë të Prokurorisë ka ndodhur ajo që Partia Demokratike ka paralajmëruar shumë kohë më parë, “Veting-u ka mbajtur në sistemin e drejtësisë gjyqtarë dhe prokurorë në kundërshtim me ligjin, që i shërbejnë kryeministrit për të mbajtur nën kontroll organet e reja të drejtësisë”.

Në vijim, ai shtoi se “prova më flagrante është emërimi si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë i prokurorit të Krimeve të Rënda, Bujar Sheshi. “”Dokumentet zyrtarë tregojnë se ai është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe për këtë fakt procedura e emërimit të tij duhet të ishte ndërprerë menjëherë. Ligji e ka shumë të qartë: një bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit ndalohet të bëhet pjesë e organeve të reja të drejtësisë”, tha Strazimiri.

Sipas tij, “ligji e pengon që një kandidat i tillë, më konkretisht, kushti pengues ligjor parashikohet nga neni 105, ku thuhet se: “Kandidatët duhet të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit”.

Gjithashtu, Strazimiri tha se ” Partia Demokratike i kërkon Arta Markut të japë sqarime se për çfarë arsye e dërgoi për vetting aplikimin e Bujar Sheshit, pa përmbushur kriterin ligjor, por ajo hesht”.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.