Urdhri i Mjekut për stomatologët, PD: Vendimi i paligjshëm dhe abuziv


TIRANË,24 janar /ATSH – I. Vata/ – Partia Demokratike e konsideron të paligjshëm vendimin e Urdhrit të Mjekëve për stomatologët për të dyfishuar 13 shërbime të stomatologëve.

Bardhi akuzon qeverinë si fajtore, ndërsa hesht përball këtij urdhri të paligjshëm, siç e konsideron ai.

“Makineri e propagandë së qeverisë fletë çdo ditë për ulje të taskave, për çmime më të lira dhe një jetë më të mirë. Por e vërteta flet ndryshe. Me heshtjen e saj qeveria është bërë pjesë e një vendimit të paligjshëm të marrë nga urdhri i stomatologut, pothuajse dyfishimin e çmimit të shërbimit për qytetarët. Një vendim i paprecedent, i paligjshëm, abuziv, i presidentit të Urdhrit të Stomatologut Nikollë Deda, kandidat i PS-së në Pukë, urdhëron stomatologët të rrisin çmimet gati dyfish për 13 shërbime. Janë shërbime që kryejnë qytetarët si mbushja e dhëmbëve, vendosja e protezave dhe ndërhyrje kirurgjikale”, u shpreh sot në një deklaratë për mediet, deputeti i PD-së Bardh Spahia.

Po ashtu, Spahia u shpreh se “kandidat për deputet i PS-së që drejton Urdhrin e Stomatologëve është në shkelje të plotë të ligjit për Urdhrit të Stomatologëve që nuk i jep të drejtë të vendos çmimin për shërbimin që dentistët u japin qytetarit. Ky organ ka si mision ligjor ruajtjen e standardeve të larta në këtë profesion dhe sidomos mbrojtjen e pacientëve nga kequshtrimi e profesionit të stomatologut. Shtatë kompetencat e urdhrit janë në funksion të këtij misioni. Në asnjë pikë nuk ekziston e drejta për të vendosur çmime, ko është shkelje e parimeve të urdhrit dhe e ligjit, prandaj Nikollë Deda duhet të mbajë përgjegjësi pasi ka nxitur në mënyrë të paligjshme vendosjen e çmimit monopol duke cenuar konkurrencën”.

Gjithashtu, Spahia u bëri thirrje dentistëve të mos e zbatojnë urdhrin, pasi sipas tij është në kundërshtim me ligjin.

“Qeveria është përgjegjës pasi ka heshtur pas këtij urdhër të paligjshëm. Ministria e Financës është njoftuar zyrtarisht se lista e çmimeve të reja të paligjshme të zbatohet me kasat fiskale, por nuk ka bërë asgjë për ta kundërshtuar. Po kështu Ministria e Shëndetësisë ka mbyllur sytë. Partia Demokratike ju bën thirrje dentistëve të mos e zbatojnë një vendim të paligjshëm, si dhe nxit anëtarët e urdhrit të shkarkojnë cilindo që është bërë pjesë e këtij mekanizmi antiligjor”, shprehet ai. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.