”Shtëpia me Gjethe”, misteri i komunizmit tërheq mbi 10 mijë turistë të huaj

TIRANË, 24 janar /ATSH A.ALLA/ – Muzeu Kombëtar ”Shtëpia me gjethe” është ndër më të veçantët në rrjetin ballkanik të muzeve. Ky muze është kthyer tashmë në një atraksion turistik jo vetëm për vizitorët shqiptarë, por veçanërisht për turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë.

Numri i vizitorëve në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve ”Shtëpia me Gjethe” gjatë vitit 2018 ka qënë 17 mijë turistë, ku 10 mijë prej tyre janë të huaj dhe pjesa tjetër turistë vendas.Pra 60% e vizitorëve në këtë muze janë të huaj dhe 40% vendas.

”Interesi i vizitorëve janë objektet e këtij muzeu. Një dhomë që ka interes është ”dhoma e viktimës” e cila i kushtohet Edison Gjergos i cili u dënua gjatë regjimit komunist me 8 vite burg, ku në muze kemi të ekspozuar dhe pikturën për të cilën është dënuar”, shprehet për Agjencinë Telegrafike Shqiptare drejtoresha e këtij muzeu Etleva Demollari.

”Në punën tonë në këtë muze kemi prioritet brezin e ri dhe ky muze është për të kujtuar të kaluarën duke e vënë atë në shërbim të brezit t ë ri. Në kuadër të programit të ministrisë së Kulturës ”Edukimi përmes Kulturës” kemi organizuar disa programe edukative. Në saj të këtyre programeve ne kemi përfshirë rreth 3 mijë student dhe 70 % të shkollave të mesme të Tiranës dhe 40% të shkollave 9 -vjeçare”, përfundon drejtoresha Demollari.

Ky muze, ose thesari i memorjes sonë kolektive, do vazhdojë të mbetet një atraksion kulturor dhe historik për vizitorët, pasi është një plagë që ka prekur brezin e shkuar dhe bën një panoramë informuese për brezin e ri, pasi i kushtohet njerëzve të pafajshëm që u arrestuan, internuan, torturuan dhe vuajtën dënime të rënda për shkak të përgjimeve, kontrolleve e spiunimeve gjatë regjimit komunist, shumica e të cilave kryheshin nga kjo shtëpi. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.