Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kukan: Studentët jo ultimatum qeverisë, dialog

TIRANË, 24 janar /ATSH/ Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Eduard Kukan shprehet se protesta e studentëve duhet parë nga Qeveria si një mundësi për të zgjidhur problemet, por studentët nuk mund të vendosin ultimatume. “Ata duhet të pranojnë dialog”, tha ai në një intervistë televizive.

“Qeveria shqiptare duhet t’i marrë shumë seriozisht aksionet e studentëve. Por kjo nuk duhet marrë si një luftë dramatike kundër qeverisë, por si pakënaqësi që duhet trajtuar përmes dialogut”, theksoi Kukan.

Kukan shtoi se t’i vësh ultimatum qeverisë nuk është korrekte. “Mendoj se kur ndodhin gjëra të tilla, duhet të ketë një dialog. Nëse vendosen ultimatume, kjo nuk është rruga për të marrë rezultate. Do t’ju bëja apel edhe studentëve, që të dëgjojnë argumentet e palës tjetër. Ndoshta duhet të ketë një palë të tretë për ndërmjetësim, por studentët duhet gjithashtu të kuptojnë se nuk është e mundur që t’i diktosh qeverisë”, përfundoi raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Eduard Kukan. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version