Qytetari ankohet në platformë, korrigjohen të dhënat në lejen e legalizimit

TIRANË, 23 janar/ATSH-Maela Marini/ Prej 1 viti një qytetar nga Tirana përpiqej të korrigjonte lejen e legalizimit, e cila ishte lëshuar me të dhëna të gabuara nga Zyra e ALUIZNI-t, por pa rezultat.

Menjëherë pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes, qytetari Mina Shtëmbari u pajis në 17 janar me lejen e legalizimit.

Ky ishte një tjetër rast i suksesshëm se si platforma e bashkëqeverisjes u vjen në ndihmë qytetarëve. Rasti u paraqit sot në takimin e Kryeministrit Edi Rama me koordinatorët e bashkëqeverisjes.

Banor i Tiranës që prej vitit 1978, Shtëmbari tha se “në vitin 1998 bleu një truall për të ndërtuar shtëpinë”. “Mora të gjitha firmat dhe vulat e infrastrukturës, siç ishte ligji i urbanistikës dhe fillova ndërtimin e shtëpisë. Nga viti 2006 kisha aplikuar për lejen e legalizimit të cilën e mora në fillim të 2017. Por në lejen e legalizimit më kishin ndryshuar emrin e babait dhe pjesën e sipërfaqes së pronës. Pasi iu drejtova ALUIZNI-t dhe nuk mora asnjë përgjigje, iu drejtova platformës së bashkëqeverisjes, falë së cilës arrita të marr në dorë lejen e korrigjuar”, tha qytetari.

Kryeministri Rama nënvizoi “ky ishte një kalvar i tmerrshëm vetëm për të marrë lejet e legalizimit”. Sipas Kryeministrit, platforma e bashkëqeverisjes është rrugëzgjidhja dhe ilaçi i një sëmundje kronike të trashëguar, të një burokracie larg së qeni e standardeve normale”.

“Edhe burokracitë e standardeve normale kanë avazet e tyre ndaj edhe në vendet më të zhvilluara ka zyra ankesash të publikut. Edhe në faqen e Presidenti të Francës ka një kuti për t’u ankuar. Nuk ka burokraci perfekte dhe shpeshherë njerëzit bien viktimë e procedurave dhe e mungesës së koordinimit të zyrave”, tha Rama.

Platforma, sipas tij, “të sjell zyrën e ankesave në xhep”. “Nuk ke nevojë të shkruash letra por për 3 minuta, problemi shkon te personi më i lartë përgjegjës. Burokracia vihet në presion dhe ne ndihmohemi për të verifikuar problemet dhe ata që i krijojnë ato. Po ashtu, pastrojmë pak nga pak gjirizin dhjetëravjeçar të një administrate të paedukuar që ka filluar të përmirësohet, por është larg së qeni asaj që duam”, tha Rama.

Ndaj, Kryeministri theksoi se “platforma sot është vendimtare dhe njerëzit duhet ta dëgjojnë se si funksionon ajo për njeriun e zakonshëm që nuk përfillet”.

“Keni shkuar dhe keni marrë përgjigje standarde, të bezdisshme dhe të padurueshme dhe keni qenë i çarmatosur. Platforma është arma që duke e përdorur, zgjidhni problemin tuaj”, iu drejtua Kryeministri qytetarëve. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.