I drejtohet platformës qytetari gjen zgjidhje për dëmtimin e tubacionit të ujit të pijshëm

TIRANË, 23 janar /ATSH/ – Një qytetar i Tiranës gjeti zgjidhje pas ankesës tek platforma e bashkëqeverisjes pas dëmtimit që iu bë tubacionit ekzistues të ujit, pas punimeve që kreu një firmë private.

Qytetari Gazmend Hoxha ankohej se në zonën ku banonte firma, e cila po kryente punime për shtrimin e tubacioneve të ujit të pijshëm kishte dëmtuar tubacionin ekzistues duke shkaktuar shpërthim të ujit në rrugë dhe mbushjen e garazhit të pallatit ku banonte me ujë.

Ujësjellës Kanalizime Tiranë mori masat e nevojshme për të eliminuar humbjen e ujit dhe kthimin e situatës në gjendje normale.

Në takimin e përjavshëm të Kryeministrit Edi Rama me koordinatorët e bashkëqeverisjes, qytetari u shpreh se bëri kërkesë tek Ujësjellës Kanalizime Tiranë, por nuk gjeti zgjidhje.

“Prita nëse do të vinte njeri të interesohej për problemin. Si përfundim iu drejtova bashkëqeverisjes. Menjëherë morën në telefon nga UKT-ja, panë ku ishte çarë tubi. Tubi ishte çarë nga firma që po shtronte tubacionet e ujit të pijshëm dhe si përfundim u zgjidh problemi nga bashkëqeverisja”, tha Hoxha.

Ai shtoi gjithashtu se ka bërë një tjetër kërkesë edhe për një rrugë që shkon në Yzberisht. Punimet janë bërë nga OST. Është hapur kanali, edhe asfalti që ishte, është prishur. Tani që ka rënë shi është bërë edhe më keq. Të shpresojmë që dhe kjo ankesë do të gjejë zgjidhje”.

/gj.mima/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.