Foto/ Delegacioni japonez, interes për projekte në Berat

TIRANË, 23 janar/ATSH/ – Kryetari i bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj priti sot një delegacion të lartë japonez të kryesuar nga Jun Saito.

Në takimin e zhvilluar me Sinaj, delegacioni kryesohej nga Saito, ambasador i Ngarkuar me Punë për Ballkanin Perëndimor dhe zëvendësdrejtor i Përgjithshëm në zyrën e Europës në Ministrinë e Jashtme japoneze, Onodera, Përgjegjëse për Shqipërinë në Ministrinë e Jashtme japoneze, si dhe Makoto Ito, ambasador i Japonisë në Shqipëri.

Vizita në Berat u organizua për të njohur më nga afër vlerat e trashëgimisë kulturore të UNESCO – s, të cilat e kanë kthyer Beratin në një atraksion për agjencitë turistike japoneze.

Gjatë takimit, Sinaj, i njohu të pranishmit me vlerat dhe resurset e qytetit, me zhvillimet e fundit në fushat e turizmit dhe agrobiznesit, si dhe me bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet bashkisë së Beratit dhe Ambasadës japoneze në Shqipëri.

Delegacioni japonez shprehu interes për të forcuar bashkëpunimin me qytetin e Beratit,  ndërsa projektet dypalëshe të kalojnë në fazën e konkretizimit të tyre.

Sipas bashkisë së Beratit, në bashkëpunim me Ambasadën japoneze është përgatitur projekti për blerjen e një mjeti zjarrfikës për nevojat e emergjencës, si dhe është forcuar bashkëpunimi me agjenci turistike, të cilat operojnë në tregun turistik japonez, për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të këtij tregu për vitin 2019. /z.tosku/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.