Delegacioni nga Kuvendi i Kosovës në Asamblenë e Këshillit të Europës

PRISHTINË, 23 janar /ATSH/ – Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i përbërë nga Xhavit Haliti, kryesues dhe Aida Dërguti e Ismet Beqiri, anëtarë, është duke marrë pjesë në punimet e Sesionit të Parë të Rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, në Strasburg të Francës, që kanë filluar me datën 21 janar dhe do të zgjasin deri më 25 janar 2019.

Delegacioni i Kuvendit, përveç pjesëmarrjes në punimet e sesionit, ka marrë pjesë edhe në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare të Këshillit të Europës, me theks të veçantë në Komisionin për Çështje Politike dhe Demokraci dhe Komisionin për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut, të AP të Këshillit të Europës.

Temat të cilat janë diskutuar, sipas njoftimit për media dërguar nga Zyra për Komunikim e Kuvendit, përfshijnë: raportet e vëzhgimit të zgjedhjeve presidenciale në Gjeorgji, vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Armeni, pajtueshmërinë e Ligjit të Sheriatit me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, mundësinë e Shteteve Palë të Konventës për të Nënshkruar “Deklaratën e Kajros”?, përditësimin e udhëzimeve për të mundësuar referendume të drejta në shtetet anëtare të Këshillit të Europës, komunikatën nga Komiteti i Ministrave, komunikatën nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland, lirinë e medias si kusht për zgjedhjet demokratike; adresimin nga Presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto; diskriminimin në qasje të punës, për një fuqi punëtore me aftësi të kufizuara, marrjen e nënshtetësisë si masë për të luftuar terrorizmin: qasja në pajtueshmëri me të drejtat e njeriut, sigurimin e ndjekjes më të madhe të rekomandimeve të IPTP-së: roli i zgjeruar i AP të Këshillit të Europës dhe i parlamenteve kombëtare.

Njëherazi, delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, është takuar me anëtarë të delegacionit të Parlamentit të Bullgarisë dhe të Suedisë në AP të Këshillit të Europës dhe ka biseduar lidhur me mbështetjen e vendeve anëtare të Këshillit të Europës në çështjet që ndërlidhen me këtë organizatë. /KosovaPress/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.