Ahmetaj: Ligji i ri për PPP, nga korriku hiqen ofertat e pakërkuara

TIRANË, 22 janar /ATSH/ – ”Projektligji i ri për Koncesionet dhe PPP, të cilin e iniciuam në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe me shumë kënaqësi do ta finalizojmë shumë shpejt në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, do të sjellë një ndryshim cilësor në menaxhimin dhe kontrollin e partneriteteve publike private, në reflektim edhe të rekomandimeve të FMN me të cilët punuam ngushtësisht për ta materializuar”, u shpreh kryetari i Komisonit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Ahmetaj theksoi se sipas këtij projektligji që pritet të miratohet nga Kuvendi, nga 1 korriku 2019 nuk do të jetë më e mundur të propozohen nga sektori privat projekte koncesioni/PPP, në formën e propozimit të pakërkuar për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale me rëndësi të veçantë.

Përjashtim bëjnë vetëm ofertat për realizimin e punimeve dhe/ose ofrimin e shërbimeve në porte, aeroporte, për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, energjisë për ngrohje dhe shpërndarjen e gazit natyror.

Sipas projektligjit parashikohet të shfuqizohet sistemi i shpërblimit me pikë bonus të propozuesve të pakërkuar.

Gjithashtu ky projektligj synon të forcojë rolin monitorues dhe kontrollin nga ana e MFE jo vetëm gjatë fazës së përgatitjes së projekteve të koncesionit/PPP, por edhe gjatë zbatimit të kontratave të koncesionit/PPP. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.