U padit për “shpifje” nga Balla, Gjykata shpall fajtor Bashën

TIRANË, 21 janar /ATSH- I. Vata/ – Gjykata e Tiranës ka shpallur sot fajtor kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas padisë së bërë nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

Basha u shpall fajtor për deklaratat e bëra në lidhje me 3.4 milionë euro të kapura në Portin e Durrësit, verën e vitit 2018. Gjykata ka dhënë 50 mijë lekë të reja gjobë.

Në një prononcim për mediet, kryetari i grupit të PS-së Taulant Balla tha se Basha sot është shpallur fajtor dhe i detyrohet shtetit shqiptar të shlyejë dënimin që dha sot gjykata.

“Do i kërkoja Bashës dhe PD-së që të heqin dorë nga kjo politikë bajate e bazuar në shpifje. Ky vendim gjykate të jetë një moment që PD të reflektojë në marrëdhënien ndërinstitucionale që ka qoftë me mazhorancën, qoftë me Kuvendin apo institucionet e tjera”, deklaroi Balla.

“Përpara se të jemi politikanë dhe duhet të trajtohemi njëlloj nga gjykata. Vendimi i gjykatës sot është një vendim historik ne duhet të reflektojmë gjatë. I pari që duhet të reflektojë është Lulzim Basha i cili sot është shpallur fajtor dhe duhet të shlyejë dënimin e merituar që sot gjykata dha. I kërkoj PD dhe Bashës të heqë dorë nga kjo politikë bajate e bazuar tërësisht në shpifje dhe ky vendim gjykate të jetë një moment ku PD të reflektojë në marrëdhënie ndërinstitucionale që ka me mazhorancën, qoftë në Kuvend apo institucione të tjera. Le të jetë ky fillim sesioni ku opozita të ketë një qasje tjetër ndaj Kuvendit duke ushtruar përgjegjësinë e vet”, tha Balla.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi e ka konsideruar vendimin e gjykatës qesharak, pasi sipas tij gjykata është e kapur nga qeveria.

“Gjykata ka dhënë një vendim qesharak”, u shpreh Bardhi.

Në një prononcim për mediet para gjykatës, Bardhi tha se “Gjykata ka asgjësuar dhe zëvendësuar organin e prokurorisë me policinë e Tulant Ballës. Mjafton që policia e Ballës të thotë që Taulant Balla nuk ka përgjegjësi për milionat e eurove të drogës të kapura në Portin e Durrësit dhe nuk ka rëndësi çfarë hetimi po bën Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe në çfarë përfundimi do të dalë ajo, ndërsa për gjykatën këtu ka rëndësi çfarë thotë Taulant Balla dhe policia e tij. Ky është vendimi i gjykatës që tentoi në kundërshtim flagrant me çdo të drejtë të opozitës në çdo vend demokratik, ku i kërkon personit të akuzuar se kush ishin burimet e informacionit që informonin  opozitën për veprimtarinë kriminale të kësaj qeverie”.

“Kujtojmë për qytetarët se sistemi i drejtësisë i kapur nga qeveria dënon personin që akuzon dhe nuk dënon personin e akuzuar”, tha ai, duke bërë të ditur ankimimin e vendimit të gjykatës. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.