Tejkalohen parashikimet, rehabilitimi i Gjanicës dhe qendrës së Fierit në kohë rekord

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Rehabilitimi i lumit Gjanica dhe qendrës së qytetit në Fier është  një projekt që kapërcen çdo afat të parashikuar dhe që pritet të përfundojë në një kohë rekord.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi evidenton pikërisht punën që po bëhet në këto kantiere ndërtimi. “Rehabilitimi i lumit Gjanica dhe qendrës së qytetit është sot fronti më i madh i punës në Fier që që nuk ndalet pavarësisht nga moti”, u shpreh Subashi.

Ky projekt ka marrë po ashtu vëmendjen maksimale të banorëve të Fierit, të cilët prisnin prej dekadash këtë transformim rrënjësor.

Rehabilitimi i lumit Gjanica, që për çerekshekulli ishte kthyer në burim plehrash e përmbytjesh për qytetin e Fierit, mbetet projekti më madhor i zbatuar në këtë qytet.

Punimet kanë hyrë në një fazë intensive dhe brenda këtij viti, ky projekt do t’i bashkohet hartës së madhe të ndryshimeve në Fier, duke transformuar përfundimisht edhe dimensionin urbanistik të qytetit.

Sipas projektit, janë dy ura mbi lumin Gjanica, ku njëra duket se do të jetë vetëm për këmbësorët. Ndërsa në të gjithë hapësirën e sheshit, do të ketë korsi të dedikuara për biçikletat në krah të trotuareve.

Po ashtu, sheshi ri i Fierit, do të ketë një parkim nëntokësor për të cilin po vijon puna me ritme të larta, me akses në të dy ekstremet e sheshit.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.