FOTO/ Komedia “Boeing Boeing”, buzëqeshja e fundjavës për publikun kryeqytetas

TIRANË, 21 janar /ATSH/ – Komedia “Boeing Boeing” ka shoqëruar me të qeshura gjatë fundjavës publikun kryeqytetas në sallën “Moliere” në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Me regji nga Kiço Londo komedia erdhi në skenë nën interpretimin e aktorëve Amos Muj Zaharia, Rudina Dembacaj, Gentian Zenelaj, Alessia Xhemalaj, Adriana Tolka dhe Linda Jarani.

Ngjarjet e veprës ndodhin në Paris në ditët e sotme. Një komedi e bujshme, në venat e së cilës rrjedh gjak si ai i komedive të Shekspirit me incidente të hareshme dhe ngatërrim identitetesh. “Boeing Boeing” paraqet aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe.

Në vepër janë tri stjuardesa njëra më e bukur se tjetra, një franceze një gjermane dhe një amerikane, secila duke besuar se është e fejuara e Bernardit. Më parë Bernardi ka ditur t’i xhonglerojë këto gra, falë zotërimit të orarit të detajuar të fluturimeve të tyre.

Kur situata ndryshon dhe të tria gratë e tij mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, Bernardi me ndihmën e shokut të tij Robert lufton me të gjitha mënyrat, që ato të mos e marrin vesh të vërtetën. Bernard e mban njërën në ajër, njërën në tokë dhe tjetrën të varur.

Komedia fillon në momentin kur fati i sjell të gjithë personazhet në të njëjtin vend, pikërisht në shtëpinë e Bernardit. Ai arrin të dal nga situata falë mikut të tij, Robert.

Situatat komike mes personazheve dhe mesazhet sociale të veprës kanë shoqëruar publikun gjatë kësaj fundjave. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.