DAVOS – FMN ul pritshmërinë për rritjen ekonomike botërore në 2019

DAVOS, 21 janar /ATSH-AFP/ – Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) njoftoi sot, në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, se ka ulur parashikimet e tij të rritjes botërore për vitin 2019, duke marrë parasysh edhe vazhdimësinë e tensioneve tregtare dhe të rritjes së rreziqeve politike.

FMN-ja parashikon për këtë vit një rritje prej 3,5%, ose 0,2% më pak se sa vlerësimet paraprake të tetorit që kishin pësuar gjithashtu rënie.

Ndonëse lë të pandryshuar vlerësimet për rritjen ekonomike për dy fuqitë e para, SHBA-në dhe Kinën, si dhe rishikon në rritje ekonominë për Japoninë, FMN-ja tregon më shumë pesimizëm për eurozonën (1,6% kundrejt 1,9% të vlerësuar paraprakisht).

Në Europë, Gjermania pëson rishikimin më të fuqishëm në ulje me një rritje prej 1,3% (-0,6%), e ndjekur nga Italia me 0,6% (-0,4%) dhe Franca me 1,5% (-0,1%).

E para vuan nga një rënie e prodhimit industrial në sektorin e automjeteve, e dyta një kërkesë të dobët të brendshme të kombinuar me norma të larta huaje dhe e treta vuan impaktin negativ të protestave sociale që zgjasin prej më shumë se dy muaj. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.