Bello: Përgjysmimi i tarifës, përfitojnë 90 mijë studentë

TIRANË, 21 janar /ATSH – I. Vata/ – Pakti për Universitetin jo vetëm i realizon kërkesat e studentëve, por i tejkalon ato, vetëm nga përgjysmimi i tarifës përfitojnë përfitojnë rreth 90 mijë studentë nga 103 mijë”, u shpreh deputetja e Partisë Socialiste, Vilma Bello në një intervistë për ABC News.

E pyetur për protestën e pedagogëve të Filologjikut, deputetja e Partisë Socialiste Vilma Bello u shpreh se “fakti që kemi Paktin për Universitetin është përgjigje e protestës së studentëve që fillimisht nisi tërësish e pastër prej tyre dhe në kërkesat që ata adresonin dhe sigurisht ky pakt ofron plotësimin e të gjithë kërkesave të studentëve”.

Duke folur për protestën e pedagogëve, Bello theksoi se protesta e tyre është e motivuar politikisht.

“Përkundër kësaj situate është protesta e një grupi pedagogësh. Referimi i kërkesave të studentëve nuk lidhet me shfuqizimin e Ligjit të Arsimit të Lartë, lidhet me zgjidhjen e kërkesave të tyre brenda Arsimit të Lartë. Sot edhe disa pedagogë po e përdorin situatën politikisht. Të gjitha kërkesat e studentëve i referohen dhe gjejnë zbatimin brenda këtij ligji”, tha ajo.

E pyetur për shfuqizimin e Ligjit të Arsimit të Lartë, Bello tha se ligji kishte probleme dhe mangësi përsa i përket zbatimit të tij.

E pyetur se mos protesta e pedagogëve do të ketë efekt domino, Bello tha se nuk mendoj se pakica të mund shumicën dhe të pengojë gjithë procesin universitar.

Ndërsa për Paktin për Universitetin, Bello tha se nuk ka ndodh asnjëherë të bëhet një pakt kaq i hapur sa po ndodh me Paktin për Universitetin.

“Ky pakt jo vetëm i realizon kërkesat e studentëve, por dhe i tejkalon ato. Ashtu siç edhe Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në dhjetor 2018, se ky pakt do t’i tejkalojë kërkesat e studentëve dhe vërtet është kështu. Kur nisi protesta e studentëve nisi për përgjysmimin e tarifave të tyre. Kjo është një kërkesë që jo thjeshtë është e plotësuar, por e tejkaluar, sepse ky draft ka përcaktuar përgjysmimin e tarifave dhe përfitojnë rreth 90 mijë studentë nga 103 mijë studentë dhe ky është një përfitim i drejtpërdrejt në buxhetin e familjeve shqiptare dhe nga ana tjetër ka edhe një plotësim të shtuar të bursave të studentëve ekselentë, por dhe shmangia nga tarifimi i gjysmës së tarifës së studentëve”, tha Bello.

Duke folur për 21 Janarin, Bello thekson se Shqipëria ka ndryshuar shumë, dje vriteshe ndërsa sot proteston i lirë.

E pyetur për 21 Janarin ku mbetën të vrarë 4 persona, pas interesin e zbardhjes së drejtësisë deputetja e Partisë Socialiste Vilma Bello u shpreh se “jemi përballë një situatë, ku progresi në mënyrë demokratike, qeverisja ka ndryshuar shumë, pasi ata që shkaktuan 21 Janarin sot janë në opozitë dhe opozita e sotme dhe pushteti i atëhershëm ende nuk mbanjë përgjegjësi për ato që kanë ndodhur dhe nuk u kanë kërkuar falje qytetarëve për atë që ka ndodhur”, tha ai.

Po ashtu, Bello shtoi se “dje protestuesit vriteshin sot protestojnë dhe konkretisht protesta e studentëve dhe është qeveria që kërkon dialog me ta dhe një ndryshim kaq i madh në këto 8 vite tregon se çdo të thotë se çfarë ka bërë opozita e sotme, dje pa mbajtur përgjegjësi, pa kërkuar falje dhe sot duke kërkuar Lulzim Basha besim te qytetarët!?

“Ajo çka ne kemi premtuar është pikërisht me një kosto shumë të madhe e kësaj mazhorance dhe Kryeministrit Rama është për Reformën në Drejtësi me një vullnet pozitiv dhe ne jemi në rrugën e vendosjen e drejtësisë edhe për ngjarjen e 21 Janarit”, tha Bello. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.