TIRANË, 21 janar/ATSH-Maela Marini/ “Partia Socialiste do të bëjë gjithë presionin e duhur ligjor me mekanizmat që na jep ligji që çështja e 21 Janarit të rihapet dhe fajtorët të dënohen”.
Kështu deklaroi sot, i ftuar në një studio televizive, deputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu. Partia Socialiste, tha Ndreu, “e ka detyrim këtë, sepse ata njerëz erdhën për të protestuar dhe nëse nuk bëhet kjo, ne nuk kemi bërë asnjë gjë”.
Ndreu tha se “21 Janari është një ditë e trishtë për ne socialistët dhe këtë e shton akoma fakti se ne akoma nuk i kemi emrat e autorëve të penalizuar për këtë ngjarje”.
“Kjo është një ngjarje nga më të çuditshmet. Janë vrarë 4 vetë pa asnjë faj, pa asnjë veprim të dhunshëm apo rekord kriminal, në kushte dhe rrethana të çuditshme. Dyshoj se ky është një skenar që nuk buron nga garda, por nga njerëz që shfrytëzuan situatën dhe u infiltruan. Pse janë zhdukur kamerat e sigurisë aty dhe pse përdorimi i armëve u bë pothuaj në fund të protestës, kjo flet shumë”, tha Ndreu.
Ndreu tha se “ky hetim do të shkojë deri në nivele të larta të politikës së asaj kohe që kanë lejuar një grup njerëzish të hyjë në ambientet e Kryeministrisë. “Kryeministria ka pasur një drejtues, ka pasur një ministër të Brendshëm apo një komandant garde. Kreu aktual i PD-së nuk mund të çlirohet nga përgjegjësia e asaj dite, pasi ka qenë ministër i Brendshëm, në një kohë kur ndodhi një histori që përfundoi me 4 viktima të pafajshme”, tha Ndreu.
Familjarët e viktimave, sipas tij, “nuk e kanë humbur besimin te PS”. “Normalisht që janë të shqetësuar, por nuk e kanë humbur kurrë besimin se janë të qartë se ne jemi në përpjekje të madhe për të zëvendësuar këtë drejtësi të korruptuar që kemi sot”, tha Ndreu.
Ndreu komentoi edhe punën e Policisë së Shtetit, ndërsa shtoi se “kjo është policia më e mirë që kemi pasur”. /j.p/
