“21 Janari”, Ekonomi: Nuk kemi fuqinë për të vendosur në gjykata, por po shkundim sistemin

TIRANË, 21 janar/ATSH-Maela Marini/ “Ne nuk kemi fuqinë për të vendosur në gjykata, por për të shkundur sistemin për të pasur një gjykim të drejtë”, deklaroi sot deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi, duke folur për ngjarjet e 21 Janarit 2011.

E ftuar në një studio televizive, Ekonomi tha se “sot kemi shembullin e qartë të ndryshimit nga viti 2011 në vitin 2019”.

Demokracia në Shqipëri është fuqizuar, tha Ekonomi, “duke theksuar se më parë nuk ndodhte që të bëheshin protesta në bulevard dhe të mos kishte dhunë nga qeveria”.

“Ne sot jetojmë në kohë protestash, ku studentët u lanë të lirë të protestonin. Demokracia  funksionon përmes dialogut dhe jo plumbave. Ky është ndryshimi i madh”, tha ajo.

Ndërkohë Ekonomi theksoi se “PS ka ndërmarrë një reformë epokale në sistemin e drejtësisë, duke e shkundur atë nga akte korruptive ose të gjykimit të padrejtë dhe duke e vënë në baza më të shëndosha gjykimi”.

“Në ndryshim nga PS, lideri i PD-së asnjëherë nuk e ka përmendur 21 Janarin, apo nuk ka vënë para përgjegjësisë shkaktarët e 21 Janarit. Familjarët  e viktimave ishin sot aty, për t’ju treguar se PS është në shërbim të vendosjes së drejtësisë. Ne nuk kemi fuqinë për të vendosur në gjykata, por për të shkundur sistemin për të pasuar një gjykim të drejtë”, tha Ekonomi.

Ndërkohë me nisjen e sesionit të ri parlamentar, Ekonomi ftoi opozitën që të ulet në karriget e Parlamentit, aty ku i takon dhe dhe të bëhet pjesë aktive e jetës parlamentare.

Ekonomi komentoi po ashtu edhe protestën e studentëve ndërsa theksoi se Pakti për Universitetin ofron të gjitha zgjidhjet.

Ndërsa protesta e sotme e pedagogëve, sipas saj, lidhet pikërisht me kërkesat e studentëve për përfaqësim në bordin e universitetit dhe transparencën me titujt akademikë.

“Bordet e universiteteve përbëhen nga 7 anëtarë. Studentët do të kenë një vend në këtë bord dhe këtë vend ua jep qeveria e cila u thotë: njërin prej anëtarëve do ta zgjidhni ju përmes kritereve që ka shpallur qeveria. Pra fuqia studentore për të cilën ata luftuan të ketë dominancë përballë profesoratit, fitoi. Edhe titujt shkencor u vendosën në kornizë kontrolli, ndaj mendoj se kjo është protesta e pedagogëve jo e studentëve më”, tha Ekonomi.

Ekonomi shprehu besimin se në fund do të ketë një reflektim nga pedagogët dhe studentët për t’u kthyer në auditore, pasi këto janë kosto për familjet shqiptare. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.