VIDEO-FOTO/ Tre elektriçistët ‘heronj’ që sfiduan dëborën në Valbonë

TIRANË, 20 janar/ATSH/- Reshjet e dendura të dëborës në parkun Kombëtar të Valbonës, në lartësinë e 800 metrave mbi nivelin e detit, nuk i kanë penguar tre elektriçistë nga Tropoja të sfidojnë motin e vështirë.

Pas një avarie të ndodhur dje rreth orës 13:00 si rezultat i reshjeve të shumta të dëborës dhe mbingarkimit të përcjellësve me akull dhe borë, ata menjëherë iu drejtuan Valbonës për të riparuar defektin elektrik.

Tre elektriçistët Ilir Metalia, Shaqir Lamnica, Përparim Kertoçi, nga Tropoja, edhe pse reshjet e borës nuk ua lehtësuan aspak punën, ecën edhe rreth 1500 m në këmbë.

Edhe pse reshjet e dëborës ishin intensive ata punuan që të mos linin pa energji në këto ditë të ftohta dimri banorët dhe turistët, që gjenden në këtë pikë turistike mbresëlënëse në të gjitha stinët e vitit, por sidomos tani nën petkun e dëborës ku edhe ofron një peizazh piktoresk.

Sami Imeraj, inxhinier i OSHEE-së në Agjencinë Tropojë, drejtoria Kukës tha për ATSH-në se “tre elektriçistët pavarësisht motit të keq punuan për rreth 3 orë dhe sollën energjinë elektrike për rreth 100 abonentë të kësaj zone, ku përfshihen banorë, biznese që ndodhen në Parkun Kombëtar, si dhe shkolla dhe qendra shëndetësore”.

Sipas tij, pavarësisht kushteve të motit dhe dëborës, ishte emergjente për të rregulluar linjën elektrike.

“Tre elektriçistët deri në Valbonë shkuan me makinë, pasi rruga deri aty është hapur , ndërsa më pas për shkak se rrjeti elektrik nuk shtrihet përmes rrugës automobilistike u është dashur të ecin në këmbë 1000-1500 metra, sipas degëzimeve”, tha Imeraj.

Imeraj tha se “pavarësisht se trashësia e dëborës ka qenë 70- 80 cm dëborë, nuk i ka trembur elektriçistët të bëjnë punën e tyre, edhe në kushte të vështira të motit”.

Që prej ditëve të para të janarit veriu, juglindja, por edhe qytetet bregdetare të Shqipërisë u përfshinë nga reshjet e dendura të dëborës. Krahas shumë punonjës të tjerë me profesione të ndryshme që iu është dashur të përballen me motin e keq, elektriçistët janë përballur në terren, me kapriçot e pazakonta të këtij dimri. Ata kanë sfiduar borën dhe ngricat për të eliminuar avaritë që çdo banori të vendit mos t’i mungojë energjia elektrike./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.