Rehabilitohen trotuaret në Rrugën e Kavajës, Veliaj: Në 2019, ndërhyrje në lagje

TIRANË, 20 janar /ATSH- I. Vata/ – Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj ka  inspektuar sot rehabilitimin e trotuareve në Rrugën e Kavajës, i cili theksoi se rikonstruksioni i plotë i trotuareve do t’i japë mundësi qytetarëve që të lirojnë aksin e dedikuar për biçikletat.

“Ndërhyrja kryesore ishte aksi qendror për biçikletat. Është një qytet që po i përqafon biçikletat. Sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, Liqeni, janë objekte ikonike, por ne na duhet që lëvizshmëria jonë të jetë një pedonale cilësore, ndaj dhe jam shumë i lumtur sot që në rrugën e Kavajës po bëjmë një shtrim të të gjithë trotuareve. Do t’u kërkoj banorëve që, me të mbaruar investimin e trotuareve cilësore tek rruga e Kavajës, të lirohet aksi qendror ekskluzivisht për biçikleta, dhe pastaj të gjithë këmbësorët të përdorin dy trotuaret anësorë”, tha Veliaj.

Po ashtu Veliaj vlerësoi se ky është një investim që do t’i rezistojë kohës, duke qenë se Bashkia e Tiranës ka kryer të gjitha punimet nëntokësore që lidhen me rrjetin e ujësjellësit dhe telekomunikacionit.

“Nuk është prekur që në vitet ‘50-‘60, kështu që jam shumë i lumtur që i kemi hyrë me themel, fillimisht me tubacionet e Ujësjellës-Kanalizimeve. Kanë qenë të gizës, të kohës së ‘xhaxhit’, shumë të amortizuara dhe të tejkaluara. Por, tani që rrjeti i ujësjellësit është vendosur, jam shumë i kënaqur që po vazhdojmë edhe me hapësirat pedonale në të dyja trotuaret”, deklaroi ai.

Veliaj nënvizoi se edhe 2019-ta do të jetë sërish një vit aksioni për të bërë një qytet të aksesueshëm për të gjithë.

“Dua të ftoj të gjithë banorët të tregojnë bashkëpunim, teksa mbarojmë gjysmën e mbetur për të shkuar deri tek “21-shi”. Ne do ta përqendrojmë të gjithë vëmendjen tonë në zonat kapilare dhe lagjet.”, tha ai.

Kryebashkiaku bëri të ditur se ashtu sikurse tek Unaza, edhe në rrugën e Kavajës do të ketë korsi të dedikuara për transportin publik.

“Një qytet i mirë, nuk është një qytet që mbron ose investon vetëm për atë 20% që ka makina, por edhe për 80% tjetër që ecën në këmbë, me biçikletë, me autobus. Kjo do të thotë se ashtu si Unaza, edhe në Rrugën e Kavajës do të kemi një korsi të dedikuar për autobusët. Brenda 2-3 vitesh në Tiranë do të jetë më e thjeshtë të shkosh me biçikletë ose me autobus, sesa me makinë, nga pika A në pikën B. Unë besoj se ky është qyteti i së ardhmes”, nënvizoi Veliaj. /a.g/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.