TIRANË, 20 janar /ATSH- I. Vata/ Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein e konsideron protestën e studentëve si një shenjë e mirë dhe theksoi se zgjidhja është dialogu mes qeverisë dhe studentëve.
“Protestat e studentëve janë në radhë të parë një shenjë e mirë, sepse tregojnë që shoqëria civile në Shqipëri po evoluon, si dhe forcojnë vizibilitetin e shoqërisë shqiptare”, cilësoi eurodeputeti në një prononcim për ABC News.
Duke vlerësuar protestën e studentëve, Fleckenstein u shpreh se “nevoja për të përmirësuar sistemin arsimor përmendet gjithashtu në raportin tim vjetor për Shqipërinë në nëntor 2018”.
Po ashtu, Fleckenstein e vlerëson qasjen e qeverisë si mjaft pozitive.
“Qeveria po i merr seriozisht pretendimet e studentëve dhe shpresoj që së shpejti të ketë një dialog të vërtetë mes studentëve dhe qeverisë”, u shpreh Fleckenstein.
Gjithashtu, Fleckenstein theksoi se për të arritur një dialog konstruktiv, duhet treguar vullnet nga të dyja palët dhe se ndryshimi është i mundur vetëm përmes dialogut”. /a.g/