Studentët me përfaqësues në bordin e administrimit, 50% pesha e votës për dekanin

TIRANE, 18 janar/ATSH/- Studentët do të kenë përfaqësuesit e tyre në bordin e administrimit ndërsa rritet edhe pesha e votës me 50% në zgjedhjet për dekanin. Qeveria prezantoi sot Paktin për Universitetin, një dokument tejet i rëndësishëm i cili u jep zgjidhje kërkesave të ngritura nga studentët por edhe përtej këtyre kërkesave.

Në këtë dokument është reflektuar rritja e peshës vendimmarrëse të studentëve brenda universiteteve. Kështu, Qeveria ka vendosur që në Bordet e Administrimit të Studentëve të ketë një përfaqësues nga studentët dhe në çdo Fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në Senatin Akademik.

“Senatet ligjërisht janë të lirë, që ndër vendet që ata kanë në Borde, të propozojnë një prej studentëve anëtar Senati, apo drejtues të Këshillit Studentor. Nëse kjo vendoset në Statutin e Universitetit, prezenca normohet definitivisht”, theksohet në Paktin për Universitetin.

Gjithashtu, Qeveria ka vendosur që në bordet e administrimit të universiteteve të ketë një numër të barabartë votash mes përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit dhe përfaqësuesve të Universitetit. Njëri prej anëtarëve që emërohet prej MASR do të vijë propozim nga studentët.

Po ashtu, në Paktin për Universitetin është vendosur që të rritet nga 10% në 50% pesha totale e votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekanë, rektorë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.