Kushi: Pakti me studentët realizon më shumë se 8 pika

TIRANË, 18 janar /ATSH – I. Vata/ – “Pakti për Universitetin realizon të tetë pikat e kërkesave të studentëve, por dhe më shumë se kaq”, tha në një intervistë televizive deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi.

Kushi u shpreh se për këtë mazhorancë, arsimi është shumë i rëndësishëm. “Përbën një nga prioritetet tona sepse ndikon jo vetëm në të ardhmen e fëmijëve tanë por edhe të vendit dhe shoqërisë”, – tha ajo.

“Për këtë në 5 vitet e kaluara ne kemi punuar, kemi pasur rezultate po ka më tepër për të punuar. Protestat e studentëve na kanë dhënë një pakt shumë të rëndësishëm jo vetëm që ne të reflektojmë për zgjidhjen e kërkesave të tyre por ne të vendosim dhe një dialog të vazhdueshëm. Dhe arsim më të mirë nuk do të thotë të kesh buxhet më të lartë apo tarifa të reduktuara, por arsim i mirë do të thotë një tërësi vlerash. Midis tyre është edhe dialogu, sepse dhe ky pakt që ne arritëm është prova më e mirë se kur ka dialog dhe bashkëpunim ka dhe rezultate më të mira”, – tha ajo.

E pyetur për deklaratën e bërë sot nga Albana Vokshi, se pakti me studentët nuk i realizon kërkesat e studentëve, Kushi tha se pakti në fakt i jep zgjidhje të gjitha kërkesave të studentëve dhe jo vetëm kaq, por shkon përtej tyre, sepse edhe Kryeministri Edi Rama që në fillim u angazhua që jo vetëm do plotësojmë kërkesat e studentëve, por do bëjmë edhe më shumë.

“Ky pakt që u prezantua dhe u bë publik nuk është një dokument  përfundimtar por një dokument fillestar ku ne kemi vendosur bashkëpunimin me të gjithë aktorët: pedagogët, studentët dhe që nga ky moment të gjithë munden të japin mendime dhe sugjerime, pasi në pakt nuk është gjithçka e pandryshueshme por mund të punohet, dhe pikërisht ky dialog që kemi vendosur me universitetet do të na ndihmojë të arrijmë ta realizojmë”, – tha ajo.

Për sa i përket kushteve të konvikteve, Kushi tha se kjo është një kërkesë e drejtë dhe kërkohen ndërhyrje të menjëhershme. Në këtë aspekt po punohet në dy drejtime, nga njëra anë nga financimi i buxhetit të shtetit, dhe nga ana tjetër me financime të huaja, me marrëveshje kryesisht me qeverinë gjermane. “Për sa i përket buxhetit të shtetit për vitin 2019 kemi një shtesë prej 300 milionë lekë për rikonstruksionin e godinave dhe po ashtu kemi nga bashkëpunimi me qeverinë gjermane një shumë prej 16.8 milionë eurosh ku përfshihet rehabilitimi i 13 godinave, ndërkohë Ministria e Financave po punon për një tjetër marrëveshje me qeverinë gjermane me një shumë 27 milionë eurosh. Objektivi ynë është që brenda këtij mandati të jenë të rehabilituara”, tha ajo. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.