Kukës/ Rrugët që lidhin fshatrat e njësive administrative të hapura nga dëbora

TIRANË, 18 janar/ATSH/ – Në bashkinë e Kukësit rrugët që lidhin fshatrat e njësive administrative janë të hapura dhe qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.

Sipas bashkisë, rrugët e njësive administrative Bicaj, Shtiqen, Terthore e Kolsh janë të hapura dhe qarkullimi vazhdon normalisht.

Rrugët e njësive administrative Kalis, Grykëcajë, Bushtricë, Ujmisht, Surroj, Malzi, Shishtavec, Topojan e Zapod janë të hapura dhe qarkullimi kryhet me zinxhirë, ndërsa e bllokuar vazhdon të jetë njësia administrative Arren.

Puna vazhdon për hapjen e rrugëve të fshatrave Vile, Shpat, Barruç, Turaj, Cernaleve, Tejdrine e Skavice.

Bashkia bën të ditur se procesi mësimor është zhvilluar normalisht dhe nuk ka probleme sa i përket ngrohjes, ndërsa të gjitha shkollat janë të furnizuara me dru zjarri.

Furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike ka qenë i rregullt, veç Njësisë Administrative Arrën, ku ka mungesë të energjisë elektrike./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.