90 mijë studentë përfitojnë nga përgjysmimi i tarifave

TIRANË, 18 janar/ATSH-Maela Marini/ Rreth 90 mijë studentë përfitojnë nga ulja e tarifave në universitete dhe dhënia e bursave, që në total shkon në 1.8 miliardë lekë të reja.

Gjatë diskutimit të Paktit për Universitetin, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini u ndal te pika kryesore e parashtruar nga studentët, që ka të bëjë me përgjysmimin e tarifave në universitete, e cila sipas saj, ka marrë tashmë përgjigje me VKM-të e miratuara në dhjetor 2018 dhe që tashmë kanë hyrë në fuqi.

“Ne jo vetëm që kemi përgjysmuar tarifat, por kemi ndarë edhe bursa për një fashë më të madhe të studentëve, si dhe kemi përjashtuar 100% nga tarifat një fashë më të madhe të studentëve. Janë 90 mijë studentë nga 108 mijë në total, që përfitojnë nga pakoja financiare prej 1.8 miliardë lekësh. Pjesa dërrmuese  e studentëve ka përfituar nga trajtimi financiar, ndërsa studentët që nuk kanë përfituar janë ata që studiojnë në një program të dytë”, tha Shahini.

Vitin e ardhshëm, sipas saj, do të ketë edhe një shikim më të detajuar për mënyrën se si do të aplikohen tarifat për studentët që kanë notën nën 6. Këtë vit përfitojnë të gjithë, nënvizoi ajo.

Në faqen e hapur për Universitetin në portalin e bashkëqeverisjes, Shahini u shpreh se kanë ardhur mbi 400 pyetje. Ajo sqaroi 3 pyetjet kryesore të studentëve.

Nga ulja e tarifave, tha ministrja, përfitojnë përgjysmim tarife të gjithë studentët në bachelor, por që kanë provime të mbartura.

“Studentët me mesatare 9-10 por që kanë provime të mbartura nuk përfitojnë bursë”, tha Shahini, ndërsa sqaroi se tani nuk nevojitet më aplikimi në bashki për bursa për studentët që vijnë nga shtresat në nevojë, pasi kjo është përfshirë te VKM-të.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.