Integrimi europian, projekti më strategjik i Shqipërisë

TIRANË, 17 janar /ATSH/ – “Kur mbeten dhe pak muaj deri në vendimmarrjen e Këshillit Europian, përparimi me shpejtësi, vendosmëri dhe rezultate bindëse në reformat kyçe, veçanërisht të lidhura me sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, kërkon angazhim dhe përgjegjshmëri maksimale të të gjitha institucioneve të vendit”, u shpreh Presidenti Meta në një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Stef Blok.

Presidenti Meta vlerësoi thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Holandës, veçanërisht ndihmën në fushën e sundimit të ligjit dhe rritjen e investimeve holandeze në vendin tonë.

Ai inkurajoi bashkëpunim më të ngushtë mes agjencive lizgjzbatuese të të dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar, që siç theksoi, “nuk duhet lejuar të penalizojë shqiptarët e ndershëm që punojnë dhe jetojnë në vendet e BE-së”.

Kreu i Shtetit theksoi se, “integrimi europian është projekti më strategjik i Shqipërisë, duke shpresuar që qershori i ardhshëm të shënojë çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian”.

Duke u ndalur në zhvillimet në rajon, Kreu i Shtetit theksoi se, mbështet plotësisht çdo proces që i kontribuon paqes, sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal në frymën europiane të bashkëjetesës, sikundër ishte dhe ratifikimi në Parlamentin maqedonas i Marrëveshjes së Prespës.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.