2020-2022/ Punësimi rritet me 2,4%, papunësia ulet në minimumin historik

TIRANË, 17 janar /ATSH/- Qeveria ka miratuar Kuadrin e ri Makroekonomik dhe Fiskal të vendit për periudhën 2019-2022, duke projektuar rritjen e punësimit me 2,4% dhe uljen e normës së papunësisë në nivelin më të ulët historik prej 9,4% në vitin 2022.

Sipas këtij dokumenti të rëndësishëm për ekonominë e vendit, parashikohet që treguesi i papunësisë të ulet në 11,7% të totalit të forcës së punës në vitin 2019, nga 12,8% që pritet të jetë ky tregues në vitin 2018.

Ndërkohë që projeksionet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, përcaktojnë sektorin e shërbimeve, kontribuesin kryesor në rritjen e kërkesës për punë në krahasim me sektorët e tjerë të ekonomisë.

Rritja e nivelit të punësimit në vend do të ketë një ecuri në raporte të drejta me uljen e normës së papunësisë, vëren raporti.

Punësimi pritet të rritet me një mesatare prej rreth 2,4% në vit gjatë viteve 2020–2022.

Shkalla më e lartë e pjesëmarrjes në forcat e punës do të jetë gjeneruesi kryesor i rritjes së ofertës së punës. Ndërsa rritja e kërkesës për punë pritet të reflektojë pak a shumë të njëjtën strukturë të perspektivës së ofertës agregate të aktivitetit ekonomik.

Referuar anketës tremujore të forcës së punës nga INSTAT, punësimi deri në tremujorin e tretë të vitit 2017 u rrit me 1,3% krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, ose me rreth 14.4 mijë të punësuar rishtas për një vit.

Norma e papunësisë (për grup moshën 15-64 vjeç) ka vijuar trendin e saj rënës që prej T1-2014 ku regjistroi vlerën e saj më të lartë prej 18%, duke zbritur tashmë në nivelin 14% në T3-2017, me një reduktim prej 1,2% krahasuar me një vit më parë (T3-2016), ose me një reduktim të numrit të personave të papunë prej rreth 16.3 mijë në harkun kohor të një viti.

Gjatë vitit 2018, qarqet e Vlorës, Tiranës dhe Lezhës patën normat më të larta të papunësinë në krahasim me mesataren kombëtare. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.