TEKNOLOGJI – Tregu i smartfonëve kurrë kaq keq

ZYRIH, 16 janar /ATSH-ANSA/ – Tregu i smartfonëve ndodhet në pikiatë në vitin 2019, kurrë kaq keq që nga viti 2013, para boom-it të tyre.

Alarmi vjen nga analistët e bankës ”Credit Suisse” nëpërmjet një shënimi për investitorët nga faqja AppleInsider, ku supozohet vazhdimësia e krizës që do të godasë të gjithë tregun duke e çuar nivelin e produkteve smartphone në rreth 289 000 000 njësi gjatë tremujorit të parë të vitit 2019.

Kjo shifër përfaqëson një rënie prej 19% për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe korrespondon me vlerat e regjistruara në vitin 2013. Shenjat kanë prekur edhe  Apple dhe Samsung të cilët kanë ulur vlerësimet e tyre të llogarive, pjesërisht për shkak të luftës së tregtisë mes SHBA-së dhe Kinës.

Kompania Apple ka shkurtuar planet e prodhimit të iPhone-it të ri me 10% në tremujorin e parë.

Ndër shkaqet kryesore të identifikuara nga ”Credit Suisse” është ngadalësimi i shitjeve në Kinë, i përmendur edhe nga Tim Cook, gjatë shpalljes në parashikimet e ardhshme për Apple./   /os/ a.jor.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.