Mosdekretimi i Cakajt, Balla: Ngërç artificial, zgjidhja në Gjykatën Kushtetuese

TIRANË, 16 janar/ATSH/ – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla foli pas Seancës së Jashtëzakonshme ku u votuan dekretet për ndryshimet në qeveri.

Balla komentoi ngërçin, sipas tij artificial, të krijuar nga ana e Presidentit Meta në lidhje me dekretimin e Cakajt si ministër i Jashtëm, post ky që sipas Ballës po e mban përkohësisht Kryeministri.

“Propozimin tonë për zotin Gent Cakaj që meriton besimin tonë dhe sigurisht që sapo Gjykata Kushtetuese të zgjidhë këtë ngërç artificial të krijuar nga Presidenti i Republikës, kemi mundësi që zotin Çakaj ta kemi në kabinetin e qeverisë sonë. Deri atëherë Kryeministri ka treguar gatishmërinë për të kontribuar në këtë zgjidhje të këtij ngërçi të krijuar artificialisht nga Presidenti i Republikës, dhe ka propozuar për të qenë ai ministër i Jashtëm, deri kur Gjykata Kushtetuese t’i japë fund kësaj kapriçoje presidenciale”, – tha Balla.

I pyetur nga gazetarët nëse nuk ka figura të tjera në Partinë Socialiste për të marrë përkohësisht  këtë post, Balla tha kjo është kjo është praktikë e njohur, ku edhe vetë Presidenti Meta sipas tij, ka mbajtur dy poste njëkohësisht.

“Në kushtet e një krize të krijuar të krijuar nga Presidenti me shkelje kushtetuese, është një zgjidhje dhe kjo nuk është zgjidhje që ndodh vetëm në Shqipëri, por shpeshherë, për arsye të ndryshme, bëhet një zgjidhje për të marrë përkohësisht mandatin. Kjo ka ndodhur edhe në Shqipëri, madje zoti Meta që sot është president, po nga ky Kuvend, por në një legjislaturë tjetër, i është besuar detyra e zv/kryeministrit dhe njëherazi detyra e ministrit të Jashtëm, një herë e ministrit të Ekonomisë. Kështu që praktika e konsoliduar parlamentare juridike, kushtetuese në Shqipëri ekziston. Çdo vonesë nuk i bën mirë po të kemi parasysh axhendën intesive që ka ky 6-mujor deri në 30 qershor kur janë edhe zgjedhjet lokale. Por, ajo që është më e rëndësishme për ne është që fundi i qershorit përkon edhe me fillimin e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian”, – sqaroi kreu i grupit parlamentar socialist.

Ai theksoi se kërkesa e kolegëve të tij të PD dhe të LSI-së për debat duhej të ishte bërë me mocion dhe sipas rregullores së Kuvendit.

“Përfaqësimi në qeveri të profesionistëve të spikatur në fusha ku ata kanë punuar prej vitesh është pikërisht një mundësi e mirë për t’u çuar dhe për t’i dhënë një shpejtësi edhe më të madhe reformave që duhet të çojmë përpara. Kështu që, mandatet e ministrave nuk janë çështje që duhet karta të anëtarësisë të partive politike, por janë përgjegjësi për t’i shërbyer njerëzve më mirë dhe për të çuar përpara këtë mandat. Me vjen keq që opozita nuk di aspak të shfrytëzojë mekanizmat qofshin të debatit, apo të kontrollit parlamentar. Praktika parlamentare gjithmonë kështu ka qenë, këtu bëhet fjalë për emërime dhe shkarkime të ministrave. Debat për programin ka sa herë që qeveria merr mandatin në parlament. Duan një mocion me debat për përbërjen e kabinetit qeveritar, patjetër që po. Interpelancë me kryeministrin, patjetër që po. Unë i shoh gjithmonë kërkesat që opozita sjell. Dhe gjithë kjo eksperiencë parlamentare e shumë kolegëve të bën të kuptosh se kur një kërkesë është në zbatim të rregullores, dhe kur një kërkesë është një kapriço e  momentit”, – tha ndër të tjera Balla.

Ai sqaroi se sesioni i jashtëzakonshëm u thirr nga Kryeministri duke ushtruar të drejtën kushtetuese për të respektuar afatet për rastet e shqyrtimit të dekreteve.  /z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.