Klasifikohen shoqëritë private ose shtetërore, të rëndësishme për interesin publik

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Këshilli i Ministrave me anë të një vendimi të sotëm, përcaktoi klasifikimin e shoqërive private ose shtetërore të cilat të cilat janë të rëndësishme për interesin e publikut, për shkak të natyrës së biznesit, madhësisë ose numrit të punëmarrësve të tyre.

Përcaktimi vjen si ndryshim në ligjin “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar” të vitit 2009.

Shoqëritë shtetërore ose private, të cilat janë të rëndësishme për interesin e publikut, për shkak të natyrës së biznesit, klasifikohen si shoqëri ku shteti ka pjesëmarrje në kapital; shoqëri që kanë më shumë se 50% të të ardhurave nga fondet publike; shoqëri që operojnë si degë, shoqëria mëmë e të cilave është e listuar në bursë; shoqëri të cilat ofrojnë një të mirë publike në aktivitetin e tyre tregtar dhe janë subjekt i rregullatorëve të fushës përkatëse.

Shoqëritë shtetërore ose private, të cilat janë të rëndësishme për interesin e publikut, të përcaktuara si njësi ekonomike të mëdha, sipas legjislacionit në fuqi për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare, klasifikohen siShoqëri që vlerën e totalit të të ardhurave nga veprimtaria ekonomike (qarkullimi) në atë periudhë kontabël e kanë të barabartë ose më të madhe se 1 500 000 000 (një miliard e pesëqind milionë) lekë; shoqëri që vlerën e totalit të aktiveve të bilancit në mbyllje të periudhës kontabël e kanë të barabartë ose më të madhe se 750 000 000 (shtatëqind e pesëdhjetë milionë) lekë;

Shoqëritë shtetërore ose private, të cilat janë të rëndësishme për interesin e publikut, për shkak të numrit të punëmarrësve të tyre, klasifikohen si shoqëri që, në fund të periudhës kontabël, kanë më shumë se 250 (dyqind e pesëdhjetë) punonjës; shoqëri që, për gjithë periudhën kontabël, kanë një numër mesatar punonjësish prej më shumë se 250 (dyqind e pesëdhjetë). /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.