TIRANË, 16 janar/ATSH/ – Pas seancës së jashtëzakonshme të mbajtur sot në Kuvend për ndryshimet me të fundit në qeveri, Partia Demokratike zhvilloi një takim me aleatët ku shpalli edhe nisjen e protestave.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mblodhi në orët e vona të pasdites së sotme në selinë e PD-së aleatët parlamentarë dhe jo parlamentarë dhe nga ky takim doli me këtë vendim. “Në përgjigje të mijëra mesazheve dhe duke dëgjuar zërin e qytetarëve ne vendosëm të udhëheqim revoltën e qytetarëve me protesta popullore deri në rrëzimin e Edi Ramës. Ky është vendimi i opozitës së bashkuar”, – tha për gazetarët kreu i PD-së.
Basha nuk dha datë se kur do të nisin protestat, por tha se PD do ta marrë vendimin në Këshillin Kombëtar të shtunën.
“Ditën e shtunë PD do të mbledhë Këshillin Kombëtar për të përcaktuar ditën e nisjes së protestave popullore dhe secila prej partive anëtare të koalicionit të opozitës së bashkuar, përfaqësuesit parlamentare dhe të tjerë do të mbledhin forumet e tyre, do të vendosin dhe do t’ju komunikojmë shumë shpejt nisjen e protestave popullore sipas vendimit që kemi marrë”, – tha Basha.
/z.tosku/j.p/