“Një brez, një rrugë”, mundësi për nxitjen e bashkëpunimit me Kinën

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar midis Kinës e Shqipërisë për ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë” dhe mbledhja promovuese mbi Ekspozitën e 2-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës, ishin në fokus të një takimi të organizuar nga Ambasada e Kinës në Shqipëri.

I Ngarkuari i përkohshëm me Punë i Ambasadës kineze në Shqipëri, Bai Yunbin u shpreh në fjalën e tij se nisma “Një brez, një rrugë” është një masë e shënuar e Kinës për zgjerimin e hapjes në epokën e re dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Shqipëria është një vend përgjatë “Një brez, një rrugë”. Kina dhe Shqipëria nënshkruan në vitin 2017 dokumentin e bashkëpunimit për ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë” dhe kanë zgjeruar bashkëpunimin në fushat ekonomiko-tregtare, kulturore, arsimore, shëndetësore, të instituteve të studimit të politikave, të bashkëpunimit ndërmjet pushteteve vendore, të burimeve njerëzore etj. Në vitet e fundit, vëllimi i tregtisë midis Kinës e Shqipërisë po rritet më tej. Investimet kineze në Shqipëri kanë arritur mbi 800 milionë dollarë dhe Kina është bërë një nga vendet kryesore investuese në Shqipëri”, tha ai.

Yunbin vlerësoi faktin se një grup projektesh madhore, si aeroporti ndërkombëtar i Tiranës, kompania e naftës “Bankers Petroleum” etj., luajnë rol të rëndësishëm për nxitjen e punësimit, rritjen e të ardhurave nga taksat, krijimin e mirëqenies për banorët etj.

Në vitin 2018, 17 mijë turistë kinezë e vizituan Shqipërinë, me një rritje vjetore 60%, duke treguar potenciale të mëdha biznesi.

Bai Yunbin shprehu shpresën që Kina dhe Shqipëria do të shfrytëzojnë rastin për të nxitur së bashku zhvillimin më të mirë të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar në epokën e re, për të arritur përfitime të ndërsjella e suksese të përbashkëta.

Presidenti i “Biznes Albania” Luan Bregasi u shpreh se “Një brez, një rrugë” është një nismë e madhe me ndikim botëror, që ofron një platformë shumë të mirë për bashkëpunimin shqiptaro-kinez dhe mes Kinës dhe vendeve të tjera të Evropës Qendrore e Lindore.

“Në kornizën e nismës “Një brez, një rrugë”, ndërmarrjet shqiptare dhe ato kineze kanë një vullnet të fortë bashkëpunimi. Të dy palët mund të thellojnë më tej bashkëpunimin në fushat e infrastrukturës, të energjetikës, të turizmit, të bujqësisë etj. Shqipëria është një partnere bashkëpunimi tërheqëse dhe e besueshme”, u shpreh Bregasi.

Ai shtoi se, qeveria shqiptare duhet ta shfrytëzojë pozicionin e veçantë gjeografik të vendit, gjendjen e qëndrueshme makroekonomike dhe hovin e rritjes ekonomike të tij, për të paraqitur më pozitivisht dhe më konkretisht programet e investimeve, me qëllim shtimin e interesit të investuesve kinezë./m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.