TIRANË, 15 janar/ATSH/ Presidenti Ilir Meta dekretoi sot kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 110/2018 “Për noterinë”.
Presidenti kërkon rishqyrtimin e neneve 61, 65 dhe 76 të këtij ligji.
Në argumentet që shoqërojnë kthimin për rishqyrtim të këtij ligji, Presidenti evidenton se “përmbajtja e nenit 61 të ligjit nr. 110/2018 “Për noterinë”, nuk është i qartë dhe në harmoni me disa nene të tjera të këtij ligji”.
Kjo paqartësi, sipas Kreut të Shtetit, krijon mundësi të interpretimit gjatë aplikimit në praktikë, gjë e cila krijon pasiguri juridike jo vetëm për vetë noterin, por dhe për palët/qytetarët, të cilët kanë zgjedhur të marrin shërbimet noteriale tek ai.
Po ashtu, Presidenti evidenton se “parashikimet e nenit 65 të ligjit nuk garantojnë trajtim të barabartë të noterëve përballë kostos që do të duhet të përballojnë për sigurimin e veprimtarisë së tyre, si dhe mund të krijojë një deformim në tregun e sigurimeve referuar sigurimit të veprimtarisë së noterëve”.
E njëjta gjë, sipas Presidentit, vlen edhe për nenin 76 i ligjit nuk është i qartë, nuk ofron siguri ligjore për mbrojtjen dhe mbështetjen e shtresave në nevojë të shoqërisë për të përballuar tarifat dhe shpenzimet noteriale, apo të kategorive të veçanta të shoqërisë.
/m.m/j.p/