Llamallari: Strukturë e specializuar për kapjen e personave më të kërkuar

TFIRANË, 15 janar /ATSH/- Besfort Lamallari, zëvendësministër i Brendshëm, u shpreh sot se strukturat e policisë së Shtetit, po bashkëpunojnë fort edhe me agjenci partnere, përfshirë edhe Interpolin, për ngritjen e një strukture të specializuar për gjetjen dhe kapjen e personave më të kërkuar në vend, të cilët operojnë brenda dhe jashtë vendit.

Në një intervistë të dhënë në një media televizive, Lamallari komentoi arrestimin e Klement Balilit gjatë ditës së sotme, ndërsa theksoi se arrestimin e tij, është paralajmëruar kohë më parë nga vetë Kryeministri Edi Rama.

“Do theksoja dy elementë: forcën goditëse të Policisë së Shtetit kundër krimit të organizuar. Për këtë u ngrit një strukturë e posaçme për identifikimin e tyre dhe sekuestrimin e pasurive të tyre. Si dhe një element tjetër dërgimin e letërporosive greke drejt e në gjykatë. Sot, kemi lajmin e shumëpritur nga të gjithë si nga ana e shqiptarëve, ashtu edhe ndërkombëtarëve, arrestimin e një të shumëkërkuari. Ambasadorët shprehën vlerësimin ndaj Policisë së Shtetit”, tha ai.

Ndërsa pyetjes se, pse pikërisht tani u dorëzua Balili, numri dy i dikasterit të Brendshëm iu përgjigj se, “nuk është çështja pse u dorëzua tani. Ka disa masa të ndryshme që merren nga Policia e Shtetit, që sjellin ngushtimin e rrezes dhe rrisin presionin e operacioneve të saj”.

“Sot është një ditë pozitive në luftën kundër krimit të organizuar, sot Balili duhet të japë llogari para drejtësisë shqiptare”, theksoi ai. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.