“Kur kapen, janë ata që na kapin ne”, Rama reagon ndaj komenteve të opozitës për Balilin

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj disa komenteve që kanë shoqëruar kapjen e Klement Balilit, trafikantit në kërkim ndërkombëtar, arrestimi i të cilit u përshëndet gjerësisht.

“Kur kapen janë ata që na kapin ne! Kur dorëzohen jemi ne që u dorëzohemi atyre! Kur nuk kapen jemi ne që s’i kapim dhe kur nuk dorëzohen janë ata që na e hedhin! Ky është avazi opozitar prej 5 vitesh e gjysëm, po kjo e sotmja u djeg posaçërisht, e s’kanë faj fare, as njëri, as tjetri”, theksoi Kryeministri Edi Rama.

Më herët, Kryeministri kishte reaguar edhe ndaj atyre që e komentojnë arrestimin e Balilit si “vetëdorëzim”, duke vënë në dukje se “vetëdorëzimi” është thjesht realizimi me sukses i një operacioni të strukturuar.

Ndërkohë, në reagim të këtyre deklaratave, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se “Ramës i djeg e vërteta, sepse Balili është prova e kapitullimit të tij para krimit”.

“ I djeg sepse ka ulur kokën para të gjitha kushteve të trafikantit të drogës. I djeg sepse shqiptarët do ta shohin shpejt lehtësimin nga akuzat për trafik droge. E kemi parë këtë film me S. Tahirin”, tha Basha.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.