Hapja e Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit, hap i rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor

TIRANË, 15 janar/ATSH-Maela Marini/ “Hapja e Zyrës Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit është hapi i parë i rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

I pranishëm në ceremoninë e hapjes së zyrës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, Rama tha se “ky është një stacion tjetër i rrugëtimit tonë të projektuar së bashku në mbledhjen e dy qeverive”.

Duke folur për lehtësitë që do të krijojë ky vendim, Rama tha se “shkurtimi i burokracive, orëve të pritjes e kontrolleve, i kostove të pallogaritshme për bizneset, janë efekt i drejtpërdrejtë i hapjes së kësaj zyre doganore”.

“Vazhdimi i këtij procesi me vendosjen e të njëjtit standard më të gjitha pikat doganore dhe jo vetëm për Kosovën në Shqipëri, por edhe për Shqipërinë në Kosovë, është objektivi afatshkurtër. Njohja reciproke e dy sistemeve doganore, agjentëve doganorë online, mundësimi i kryerjes së procedurave doganore duke shfrytëzuar teknologjinë dhe realizmi i qëllimit të një administrate doganore, e cila edhe pse ka dy koka funksionon si një trup i përbashkët në shërbim të sipërmarrjes në Shqipëri dhe Kosovë përbën një lajm të rëndësishëm për gjithë sipërmarrjen”, – shtoi Kryeministri.

Kjo risi në shkëmbimet tregtare, sipas tij, shpejton lëvizjen e mallrave në tërësi dhe e kthen kufirin Shqipëri-Kosovë në një kufi formal. Ndërveprimi i sistemeve që do të fillojë që sot, sipas Ramës, nuk do të zgjasë më shumë se pak minuta për çdo procedurë. “Ne hyjmë në një proces që pashmangshmërisht na çon te bashkimi doganor dhe i tregjeve, bashkimi i plotë i një hapësire tregtare ku përfitojnë të gjithë dhe shumë më tepër”, – theksoi ai.

Duke u ndalur te volumi i shkëmbimeve tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë, Rama tha se “shifrat flasin për një rritje të konsiderueshme prej thuajse 62 milionë euro. “Kjo nuk është një vlerë për t’u krenuar, pasi në raport me ambiciet që kemi shifrat janë larg dhe potenciali i përbashkët është shumë më tepër se kaq, por janë më tepër se sa ishin”, – tha Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.