GJERMANI – Një deputet dënohet për mesazhe raciste ndaj djalit të Boris Becker

BERLIN, 15 janar /ATSH-AFP/ – Një deputet gjerman i ekstremit të djathtë u dënua sot për të paguar dëmin dhe interesat ndaj djalit të ish-yllit të tenisit, Boris Becker për postimin e një mesazhi me karakter racist në profilin e tij në ”Twitter”.

”Një gjykatë e Berlinit dënoi deputetin për të paguar 15 000 euro dëme dhe interesa ndaj Noah Becker”, njoftoi avokati i djalit të Becker për revistën ”Der Spiegel”.

Në një mesazh të postuar në rrjetin social në dhjetor 2017, Jens Maier, një ish-magjistrat i zgjedhur deputet i Alternativës për Gjermaninë (AfD), e quajti Noah Becker, pasi gjyshi nga nëna është amerikan me ngjyrë, ”gjysmë zezak i vogël”.

Mesazhi i deputetit erdhi në formën e një komenti pas një interviste të djalit të Boris Becker, i moshës 24 vjeç, ku ky i fundit e quajti Berlinin ”qytet i bardhë”, krahasuar me Londrën apo Parisin./ /v.b/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.